Mirëmbajtja e rrugëve, Kreu i ARRSH në "Ditë e Re" paralajmëron firmat koncesionare pezullim të licencave
Kreu i ARRSH, Dashamir Xhika në Ditë e Re në Ora News ka paralajmëruar penalizime të rënda deri në pezullimin e liçensave për kompanitë që nuk zbatojnë me përpikmëri kontratat për mirmbajtjen e rrugëve.Moti i keq me temperature nën zero ka shkaktuar vështirësi qarkullimi në një sërë aksesh rrugore të Shqipërisë. Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Dashamir Xhika bëri me dije se aktualisht zonat më problematike janë në veri-lindje.Xhika bëri me dije se të gjithë inspektorët rrugor janë në terren për të monitoruar situatën.“Gjendja më e vështirë është paraqitur në veri dhe në verilindje të vendit, kryesisht në qarkun e Dibrës, qarkun e Kukësit në qarkun e Korçës dhe pjesërisht në qarkun e Elbasanit. Por dua të theksoj se akset prioritare, si Rruga e Kombit apo rrugë të tjera ku fluksi i qarkullimit të mjeteve ka një dendësi të caktuar, nuk është se kanë patur shumë vështirësi. Në akset dytësore ka pasur vështirësi dhe është sugjeruar përdorimi i zinxhirëve”, tha XhikaKreu i Autoritetit Rrugor paralajmëroi penalizime të rënda deri në pezullimin e liçensave për kompanitë që nuk zbatojnë me përpikmëri kontratat për mirmbajtjen e rrugëve.“Një pjesë e kontraktorëve nuk ishin në lartësinë e duhur që kishin mungesë qoftë në eksperiencë, por edhe në logjistikë. Kështu që këta kontraktorë nuk mund të jenë në të ardhmen pjesë e këtyrë kontratave të mirëmbajtjes. Do të jemi të rreptë në respektimin e ligjit deri në pezullimin, ndërprerjen e kontratave deri në pezullimin e licencave ku ta shohim të arsyeshme”, u shpreh kreu i ARRSH.Xhika bëri me dije se po marrim masa për gjetjen e një kontraktori të ri për rrugën e Qafë Thanës. Vetëm para pak ditëve u arrestuan katër punonjës të mirmbajtjes së këtij aksi rrugor i cili mbeti i bllokuar për dy ditë pasi nuk i ishte hedhur kripë.