Problemet nga bora, qindra familje në Pukë prej ditësh pa ujë e drita

Dëbora që ka zbardhur të gjithë rrethin e Pukës, ka vështirësuar jo pak jetesën e banorëve të kësaj zone malore.Mungesa e energjisë elektrike për shumë familje, si dhe ajo e ujit të pijshëm nga ngrirja e tubacioneve, duket se këtë vit është kompensuar vetëm nga rrugët, të cilat fatmirësisht janë të kalueshme të gjitha.Sipas porosisë së Autoritetit Rrugor të veriut, nga firmat kontraktuese janë mbajtur të hapura segmentet nga Shkodra në drejtim të Pukës, më pas drejt Fushë–Arrëzit, Qafës së Malit e deri në Dardhë.Drejtori i Autoritetit Rrugorpër veriun, Nikolin Dedvukaj, është i qartë kur kujton se çdo firmë kontraktore që nuk i përmbahet kontratës, do të penalizohet.Edhe drejtuesit e automjeteve shprehen se megjithë ngricat dhe dëborën e dendur që ka rënë, rrugët janë të kalueshme. Më problematik sipas tyre është segmenti nga Qafa e Malit në drejtim të Dardhës.Ditët me temperatura të ulëta dhe ngrica, nuk kanë qenë shqetësuese as për bluzat e bardha të Pukës. Rastet e paraqitura janë të pakta dhe kryesisht mosha të treta.Përgjegjësia e zyrës së Shëndetit Publik në Pukë, Sajmira Laçi, tregon se me urdhër të veçantë të gjitha qendrat shëndetësore janë furnizuar me medikamente dhe janë në gatishmëri për cdo rast që paraqitet.Për shkak të ngricave, Autoriteti Rrugor i veriut rekomandon që të përdoren zinxhirë në akset: Qafë Mali – Flet, Fushë- Arrëz – Qafë Shllak.Puka është një nga zonat që gjatë stinës së dimrit goditet nga reshje të dendura dëbore që shoqërohen me temperatura të ulëta, duke vështirësuar jetesën e banorëve atje.