Shkodër, Razma destinacion i shqiptarëve dhe turistëve të huaj

Për shkodranët ajo është e njohur në vite, por së fundmi perla e natyrës së maleve të veriut, Razma po kthehet në destinacionin e preferuar të Shqiptarëve dhe turistëve të huaj.Në një distancë prej vetëm 43 km larg qytetit të Shkodres dhe në një lartësi prej 900 metrash mbi nivelin e detit, pika turistike e Razmës është e përshtatshme per zhvillimin e turizmit në të gjitha stinën e vitit. E duke patur në dorë këto bukuri të pakursyera të natyrës, vitet e fundit shumë investitorë kanë ditur t'i përgjigjen me investime serioze, ç'ka e bën sot Razmën një nga zonat e turizmit malor elitar.Janë të shumtë turistët nga vende të ndryshme të botës, por edhe vizitorët nga Kosova, Mali i Zi dhe qytete të ndryshme të Shqipërisë, që zgjedhin të kalojnë fundjavën në Razëm, apo edhe të shijojnë një drekë me produkte bio, karakteristike për malësinë. Gjergj Pepaj, është një nga banorët e vjetër të Razmës, i cili ka ndërtuar një lokal dhe hotel Alpin, ku çdo ditë pret dhe përcjell mysafir.Me bujarinë dhe mikëpritjen e malësorit ai na fton pranë oxhakut duke na uruar mirëseardhjen, ndërsa na tregon për historinë e Razmës dhe turistët e saj të parë, që ishin pasanikët e Shkodres së dikurshme. Ishin familje me emër thotë ai plot seriozitet ndërsa na permend Tef Pogun, ish pronarin e fabrikës së Sapunit në Shkoder, e për të vijuar me familjet Çurçia, Kurti, Çoba e kështu me radhë që ishin edhe të parët vizitorë që shkelën Razmën.Vitet e fundit Razmës, përveç shumë shtëpive Alpine të ndërtuara nga banorët e Shkodres si shtepi të dyta, asaj i janë shtuar edhe hotele luksoze, si "Natyral Resort Razma", apo "Kulla e Artë". Ato presin me qindra vizitorë, një grup prej të cilëve ne na rastisi t'i takojmë gjatë xhirimeve tona. Janë anëtarë të shoqatës së dentistëve shqiptarë dhe shkelin për herë të parë në Razëm, por kanë mbetur të mrekulluar.Gjergji Dilo dhe Vasil Semi, këto dy të rinj, njëri nga Gjirokastra dhe tjetri nga Tirana na tregojnë se janë të mrekulluar nga bukuria që të ofron kjo pikë turistike.Sherazi Kastrati është ndër investitorët e parë që guxoi të investojë në Razëm një projekt modern, që sot ka nisur të japë frytet e veta. Ai na rrëfen se për të patur një turizëm elitar, sfidat janë të vazhdueshme, megjithatë paketat e veçanta që ofron, e kanë bërë zgjedhje të parë edhe këtë fundviti. Prenotimet janë mbyllur dhe Razma do të këtë një tjetër Krishtlindje dhe Vit të ri të mbushur me turistë dhe shumë surpriza.Gatimet që preferohen në Razëm kanë specifikën e tyre, janë produkte bio të zonës që përgatiten me fanatizëm, ashtu siç e ka traditë malësori. Guzhinieri i hotelit "Kulla e artë" na tregon se mishi i kafshëve të egra, ferliku, djathi i zier, kaçimaku i famshëm janë të preferuarat e menusë.Për kryetarin e komunës Shkrel, Fredi Sterkaj kjo vemendje që po i kushtohet Razmës është një mundësi më shumë për ta zhvilluar edhe më tej këtë zonë. Kërkesat në rritje diktojnë nevojën për investime të reja dhe fuqizimin e metejshëm të kësaj pike turistike. Ai na tregon se aktualisht kapacitetet për të pritur turistë janë deri në 400 shtretër.Razma në vitin 1953  u shtetëzua dhe u krijua kampi i pushimit të punëtorëve i cili zgjati aktivitetin e vet deri në vitin 1990. Gjurmët e së shkuarës, kanë mbetur si relike në mës të ndërtimeve të reja luksoze. Këtë e dëshmojnë shtëpitë karakteristike të Razmës, sot pjesa më e madhe të pabanuara dhe drejt rrënimit.Zona turistike e Razmës ka një sipërfaqe totale prej 3680 hektarë dhe në ndryshim prej zonave tjera turistike të alpeve, shtrihet mbi një pllajë karstike, e cila paraqet kontraste befasuese në reliev, mes majave piramidale në pjesën më të madhe të pyllëzuara dhe gropave karstike, akullnajoro-karstike të mbuluara nga kullotat alpine.Rrugëtimi i Razmës ka qënë befasues dhe sot ajo pa mëdyshje po fiton hap pas hapi, një vend të rëndësishëm në turizmin malor të qarkut të Shkodres, por edhe Shqipërisë. E famshme për 100 shpellat karakteristike, 12 puset në qendër të saj që ishin burimi i vetëm i ujit për zonën dhe me një histori mbresëlënese, Razma po kthehet në nusen e Alpeve Shqiptare.