Thaçi kërcënon me bashkim Brukselin: Shqiptarët në BE, si një shtet i vetëm

Pas kritikave nga grupet opozitare në drejtim të Qeverisë së Kosovës, për mosdhënien e vendimit të liberalizimit të vizave për vendit, kryeministri kosovar Hashim Thaçi para deputetëve ka thënë se shteti i Kosovës është në angazhim të plotë për plotësimin e kritereve për liberalizimin. Por sipas tij nëse Brukseli vazhdon me një politikë të padrejtë ndaj Kosovës, alternativa e vetme e shqiptarëve është të jenë pjesë e BE si një shtet i vetëm.“Dëshiroj të theksoj se shqiptarët në rajon kanë fituar liberalizimin përmes shteteve të ndryshme dhe kjo e padrejtë, nuk janë 15 muaj, por është një shekull i tërë i padrejtësive, jo me fajin tonë. Ju e dini shumë mirë, por në anën tjetër, gjithashtu duhet të mendohet se nëse vonohet dhe vazhdon të sillet kështu Brukseli, atëherë shqiptarëve nuk u mbetet tjetër alternativ veç të akomodohen në Bashkimin Evropian, më së miri dhe më së lehti si një shtet i vetëm. Edhe Brukseli më në fund duhet të sillet edhe në atë se çka bëjmë, por nuk duhet të sillet në se kush jemi”, ka thënë Kryeministri.Gjatë një seance në parlament, Thaci tha se problemi nuk qëndron në Prishtinë, duke theksuar se Kosova e ka merituar liberalizimin. Kryeministri i Kosovës ka kritikuar ashpër Brukselin, i cili sipas tij po trajton qytetarët e Kosovës si të kategorisë të dytë.“Ju e dini se në kohën e Jugosllavisë, shqiptarët i kanë trajtuar si qytetarë të kategorisë së dytë. Për fat të keq ka ende burokrat në Bruksel që i trajtojnë shqiptarët me nostalgjinë e Jugosllavisë apo të Titos apo të Serbisë me atë prizëm. Kjo është e vërtet dhe e them me përgjegjësi të plotë si kryeministër i Republikës së Kosovës, diçka që po e bëjë publike se e kam bërë edhe në takime të mbyllura me zyrtarët e Brukselit edhe në Prishtinë edhe në Bruksel dhe disa jeni edhe dëshmitarë. Prandaj, e them se justifikimet e Brukselit janë të pa qëndrueshme dhe të pajustifikueshme për procesin e liberalizmit për Kosovën”, deklaroi Thaçi.Gjithashtu Thaçi ka paralajmëruar se mund të vihen dhe kritere të tjera ndaj vendit, pasi sipas tij këto shtesa mund të jenë një arsye për të justifikuar mosgadishmërinë e tyre për vendim. Por, ai tha se edhe këto kritere do të plotësohen në afat rekord.