Maqedoni, orët vendimtare për zhbllokimin e krizës politike
Kanë mbetur edhe disa orë për të gjetur zgjidhje politike midis pozitës dhe opozitës maqedonase për zhbllokimin e krizës politike.Të shtunën është afati përfundimtar kur opozita maqedonase duhet të dorëzojë listat e kandidatëve për komuna dhe këshilltarë për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 24 marsit.Bashkimi Evropian (BE) përmes emisarëve të deleguar në Shkup po bën përpjekje për të zhbllokuar krizën politike, dhe arritjen e një marrëveshje të pranueshme për të dyja palët. Një delegacion parlamentar i Parlamentit Evropian dhe raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë, Richard Hovit po qëndrojnë akoma në Shkup, për të arritur një kompromis politik midis palëve.Ndërkohë, përpjekja e drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerim të BE-së, Stefano Sanino, ka rezultuar e dështuar për të përafruar qëndrimet e dyja palëve konfliktuale politike.Sipas agjencisë së lajmeve INA, Sanino në emër të Komisionit Evropian ka kërkuar kompromis nga kryeministri Nikolla Gruevski dhe lideri i opozitës Branko Cërvenkovski, për të gjetur zgjidhje për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale apo edhe variantin për një kompromis të ri.Opozita maqedonase ka bërë të ditur se do të dorëzojë mandatet e deputetëve dhe me këtë do të thellohet kriza politike, duke pasur si synim skenarin për shpërbërjen e Parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.Opozita ka bërë të qartë se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 24 marsit, duke qenë këmbëngulëse në kërkesat për mbajtjen edhe të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Por, një kërkesë e tillë është hedhur poshtë mbrëmë nga kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, i cili kundërshtoi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.Nga ana tjetër, partitë shqiptare do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, duke theksuar se nuk dëshirojnë të jenë pjesë e krizës së krijuar në bllokun politik maqedonas.