Serbi, Daçiç i gatshëm të flasë për institucionet paralele me Thaçin
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka deklaruar se është plotësisht i gatshëm që të vazhdojë dialogun me Prishtinën dhe se tema e dialogut të ri do të jetë “paralelizmi i institucioneve”.Në një intervistë për gazetën serbe “Novosti”, Daçiç ka theksuar se duhet të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët sa i përket veriut të Kosovës.“Vetëm bisedimet dhe marrëveshjet mund të ulin tensionet. Tema e dialogut të ri do të jetë “paralelizmi i institucioneve”. Qëllimi është që të gjejmë mënyrë se si të zhbllokohen dhe të jenë të pranueshme(institucionet paralele) edhe për Prishtinën edhe për serbët, që jetojnë në tërë Kosovën”, ka thënë Daçiq për gazetën Novosti.Në pjesën veriore të Kosovës pushteti kontrollohet nga strukturat paralele që veprojnë në sajë të financimit të Beogradit zyrtar. Strukturat e tilla nuk iu binden ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.