Maqedoni, opozita bojkoton zgjedhjet

Opozita maqedonase përfundimisht ka vendosur të bojkotojë zgjedhjet lokale për shkak të refuzimit të kërkesës së saj për zgjedhje të parakohshme parlamentare.Vendimi është marrë tre ditë para skadimit të afatit për dorëzimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet lokale që janë paraparë të mbahen më 24 mars."Vendimi ynë është i qartë dhe i pandryshueshëm. Pa marrëveshje politike për dalje nga kriza që nënkupton edhe verifikimin e legjitimitetit të institucioneve të rrënuar brutalisht nga ana e këtij pushteti, ne nuk do të marrim pjesë në zgjedhjet lokale. Vendimi është sjellur me konsensus në mbledhjen e këshillit qëndror të partisë", ka deklaruar Andrej Petrov, sekretar i përgjithshëm i LSDM-së.Vendimi i LSDM-së vjen pas deklaratës së kryeministri Nikolla Gruevski se nuk do të ketë zgjedhje të parakoshme parlamentare.Gruevski akuzoi opozitën për krizën politike në vend, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë që për shkak të kësaj, Maqedonia të marrë raport negativ nga KE-ja apo edhe të mos marrë statusin e kandidatit.Edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti pas takimit me drejtorin e drejtorisë për zgjerim të BE-së, Stefano Sanino, ka përjashtuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakoshme parlamentare. Ai po ashtu ka theksuar se bojkotimi i zgjedhjeve lokale nga ana e opozitës, do të dëmtojë rëndë procesin e eurointegrues të Maqedonisë.