Thaçi: Po përmbyllim konfliktin me Serbinë

Kosova dhe Serbia do t’i japin fund konfliktit shumë shpejt. Paralajmërimin e dha vetë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në prag të përvjetorit të pestë të pavarësisë së vendit.Sipas tij, procesi i dialogut po sjell rezultate të cilat e bëjnë atë që të nxjerr një konkluzion të tillë.“Në këtë 5 vjetor jemi në një proces pozitiv, atë të përmbylljes së konfliktit njëshekullor mes Kosovës dhe Serbisë, pra në një proces të normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore, Kosovë-Serbi,” tha Thaçi.Nën mbikqyrjen e Brukselit, Prishtina dhe Beogradi kanë hyrë në bisedime të cilat kanë për qëllim lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve të të dyja vendeve, pa paragjykuar statusin e Kosovës.Mirëpo në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri Thaçi tha se njohja e pavarësisë megjithatë është rezultati përfundimtar i dialogut Kosovë-Serbi, të cilin pret Prishtina zyrtare.“Një proces ky që duam të besojmë se nën udhëheqjen e BE-së, dhe mbështetjen e fuqishme të SHBA-së, do të përmbyllet me njohje reciproke,” tha ai.Shefi i qeverisë së Kosovës pritet të takohet gjatë javës së ardhshme, më 19 shkurt me homologun e tij serb Ivica Daçiç në Bruksel.Në axhendë, sipas kryeministrit serb, është zgjidhja e çështjes së institucioneve që ka Serbia në pjesën veriore të Kosovës.Këto struktura shihen nga Prishtina zyrtare si ilegale, dhe nuk njihet autoriteti i tyre.