Gazifikimi i Shqipërisë, masterplani përfundon brenda 2 vitesh
Brenda dy vitesh do të përfundojë masterplani për gazifikimin e Shqipërisë. Projekti që përfshin dhe vende të tjera të rajonit kap vlerën e 45 miliardë dollarëve.Tirane- Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, firmosi me homologun azer Natig Aliyev marrëveshjen që i hap dritën jeshile studimit të projektit të gazifikimit të Shqipërisë.Ministri i Energjisë së Azerbajxhanit garantoi se masterplani do të përfundojë brenda 2 vitesh"Së bashku me ministrin firmosëm një dokument shumë të rëndësishëm. Unë mendoj se në një muaj ne do të nisim një punë të rëndësishme për implementimin dhe përgatitjen e masterplanit të gazit. Së bashku me BP dhe me kompaninë shtetërore të Azerbaxhanit SOCAR do të mund të ndihmojmë për përgatitjen e studimit të fizibilitetit për gazifikimin e Shqipërisë. Ne sapo kemi filluar por unë jam i sigurtë se në dy vite do të mund të përmbyllim një punë shumë të rëndësishme me kolegët tanë në Shqipëri."Për ministrin Gjiknuri, ky projekt rrit sigurinë e Shqipërisë nga pikëpamja energjetike."Edhe Shqiperia do të jetë një përfituese reale në të ardhmen e gazit. Nga ana tjetër do të thotë një diversifikim i burimeve energjitike të Shqipërisë dhe një siguri më e madhe e Shqipërisë nga pikëpamja energjitike. Nga ana tjetër me përfaqësuesit e qeverisë së Azerbajxhanit kemi patur një bashkëpunim intensiv gjatë 1 viti e gjysmë në qeverisje, jo vetëm për avancimin e projektit të TAP, por edhe zhvillimet e marrëdhënieve ne sferat e tjera të ekonomisë së dy vendeve dhe shumë shpejt do të organizohet dhe komiteti i parë i bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit, ku do të diskutojmë dhe fusha të tjera të bashkëpunimit ekonomik mes vendeve tona . Nga ana tjeter qeveria shqiptare përveç mbështetjes që i ka dhënë për projektin TAP dhe do të vazhdojë të japë me gjithë vendimmarrjet e saj dhe me gjithë strukturat e saj shtetërore ka kërkuar nga të gjithë aksionerët e konsorciumit mbështetjen për kompanitë shqiptare."Sipas këtij memorandumi, kompania SOCAR, në koordinim me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe Gazsjellësin e Trans-Adriatikut AG, së bashku me aktorët e interesuar nga Azerbaxhani, do të menaxhojë studimin e fizibilitetit (Studimi i Fizibilitetit) të Master Planit të Gazit.Studimi duhet të identifikojë parakushtet teknike dhe tregtare për zhvillimin e master planit kombëtar të gazit, duke përfshirë një udhëzues të detajuar transportin e gazit natyror dhe rrjetet e shpërndarjes, si dhe infrastrukturën shoqëruese./Oranews.tv/