Shqiptarët tani me viza 3-vjeçare për në SHBA
Nga sot çdo qytetar shqiptar që do të kualifikohet për marrjen e një vize amerikane do ta ketë atë për një periudhë 3-vjeçare.Ambasada Amerikane në Tiranë do të japë viza tre vjeçare studentore, vizitori dhe punësimi, për të gjithë ata qytetarë shqiptarë që kualifikohen."Kjo do të thotë që nëse ju konsideroheni të kualifikuar dhe merrni një vizë për të vizituar Shtetet e Bashkuara, viza juaj do të jetë e vlefshme për 3 vjet në vend të një viti. Kjo periudhë e re vlefshmërie do ta bëjë më të lehtë për shqiptarët të cilët bëjnë pushimet, studiojnë, bëjnë biznes apo vizitojnë familjet e tyre në Shtetet e Bashkuara vazhdimisht." thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane."Eshtë e rëndësishme të theksohet se kualifikimet për marrjen e një vize nuk kanë ndryshuar - secili aplikant duhet të tregojë se do e përdorë vizën ashtu si duhet dhe nuk synon të emigrojë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara" nënvizon më tej njoftimi i ambasadës ku thuhet se për më shumë informacion mbi vizat amerikane dhe shërbimet konsullore, kërkohet të vizitohet faqja zyrtare e internetit.
Çfarë tha Ambasadori amerikan Alexander Arvizu, gjatë intervistës së tij në “Top Story”“Duke nisur nga sot, do të doja shumë që shefi i zyrës konsullore të ishte këtu, por ne kemi një politik të re që do të zbatohet. Deri më sot shqiptarët që janë kualifikuar për vizat më popullore, pra vizat B1, B2, vizat turistike, të studentëve ose vizat e vlefshme për një vit, në ambasadë ne kemi punuar me Byronë e Çështjeve Konsullore në DASH për një kohë të gjatë në mënyrë që të përpiqeshim të lehtësonim kushtet e vlefshmërisë së vizave.Jam shumë i kënaqur që të njoftoj se duke nisur nga sot, për ata shqiptarë që kualifikohen për këto viza, vlefshmëria e tyre tani do të jetë tre vite dhe jo një. Pra, nëse ju kualifikoheni do të thotë që viza do të jetë e vlefshme për tre vjet. Njerëzit do të kursejnë para, pasi nuk do t’i duhet të aplikojnë çdo vit, do të kursejnë kohë, si dhe e shohin këtë si një zhvillim shumë pozitiv që do të lehtësojë udhëtimet e ligjshme drejt Shteteve të Bashkuara që ne inkurajojmë. Sërish njerëzit duhet të kualifikohen për të marrë vizën dhe në disa raste të veçanta zyrtari konsullor mund të ketë ende autoritetin që ta kufizojë kohëzgjatjen e vizave, por për pjesën më të madhe të tyre do të jetë 3-vjeçare.Unë vërtet shpresoj që do të vijë një ditë që kufizimet do të lehtësohen dhe hapi tjetër do të ishte ndoshta vlefshmëria e vizave për 5 vite dhe pas kësaj, ndoshta Shqipëria do të kualifikohet për programin e lëvizjes pa viza. Por deri më tani është një grup shumë i kufizuar, 34 deri në 35 shtete, të cilat kualifikohen të lëvizin pa viza. Por ky hap do ta sjelli Shqipërinë në të njëjtën linjë me shumë vende të tjera fqinje që janë pak a shumë në të njëjtin nivel ekonomik-social të zhvillimit.E di që shqiptarët kanë një lidhje shumë të fortë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ne jemi shumë mirënjohës për këtë, por ligji i vizave është një ligj i tillë dhe njerëzit ende duhet të kualifikohen për ta marrë atë", ka deklaruar Arvizu.Pyetjes së gazetarit Sokoll Balla se a do të thotë kjo që për të gjithë shqiptarët, për Shqipërinë, është një hap përpara drejt hyrjes pa viza në Shtetet e Bashkuara, ambasadori Arvizu u përgjigj:"Është me të vërtetë një hap përpara dhe kjo masë vlerëson dhe njeh që në 2014-ën, në prag të 2015-ës, rrethanat krijojnë një ndryshim. Rrethanat kanë qenë shumë kufizuese përpara, por Departamenti i Shtetit dëshironte më shumë të dhënë për ta analizuar këtë që të shikonte prirjet dhe shkallën e kthimit dhe numrin e personave që qëndronin më gjatë se kohëzgjatja e vizës dhe ata ranë dakord për këtë ndryshim.Kështu që teknikisht është një hap në drejtimin e duhur, por sërish urrej në të vërtetë t’ju prish këtë festë, por do të dëshiroja t’ju thosha që ka një rrugë të gjatë në mënyrë që Shqipëria të futet në grupin e vendeve që futen pa viza në Shtetet e Bashkuara, të parë në mënyrën se si është i formuluar ligji aktual. Pra, duhet një rrugë shumë e gjatë dhe dua të jem i sinqertë me ju për këtë."Marrë nga top-channel.tv