Australia kishte refuzuar ekstradimin e pengmarrësit në Iran

Irani ka akuzuar Australinë se nuk ia ka dorëzuar pengmarrësin Harun Monis, kur i është kërkuar që ta ekstradojë në vendlindje para 14 vitesh. Kjo akuzë e rëndë lëshohet në drejtim të autoriteteve australiane nga Drejtori i policisë iraniane.Gjenerali, Ismail Ahmadi, tha për agjencinë iraniane të lajmeve se në vitin 1996 Monis ngriti një agjenci udhëtimi, por u arratis nga vendi pasi mori një shumë të madhe parash nga klientët.Dhe në vitin 2000, kur Irani bëri kërkesë për ekstradim, Australia jo vetëm që nuk e dorëzoi, por i dha azil me justifikimin se mes dy vendeve nuk kishte marrëveshje për ekstradim reciprok.Edhe Ministria e Jashtme deklaroi se Teherani e kishte paralajmëruar Australinë për rrezikun që i kanosej nga Monis, edhe pse ky i fundit pretendonte se ishte larguar për shkak të përndjekjes që i bëhej në vendlindje.Ndërkohë në Australi kanë nisur hetimet për pengmarrjen e të hënës, prej nga humbën jetën dy persona dhe vetë pengmarrësi iranian.Vetë kryeministri Toni Abot, ka urdhëruar një hetim të hollësishëm për ngjarjen, sidomos për faktin që megjithëse ligjet e sigurisë në vend janë forcuar, pengmarrësi, Harun Monis, ka arritur të lirohet me kusht edhe pse mbi të rëndonin disa akuza, ndër to edhe pjesëmarrje në vrasjen e ish-bashkëshortes, dhe kishte dalë nga lista e personave të dyshimtë për terrorizëm që prej vitit 2009.Ngjarja duket se po nxjerr në dritë probleme të mëdha në sistemin e drejtësisë në Australi. Policia raportohet të ketë kërkuar që Monisit të mos i jepet liria me kusht, por pavarësisht kësaj mbi të rëndon përgjegjësia se nuk po mbahej nën vëzhgim.Sipas një përfaqësuesi të Shoqatës së Avokatëve të Australisë, edhe zgjatja e periudhës nga arrestimi deri te dalja para gjykatës, e gjashtëfishuar në tre vitet e fundit, nga një muaj në gjashtë, ka bërë që më shumë persona të përfitojnë nga sistemi dhe të lirohen me kusht.Nga ana tjetër, kryeminsitri britanik, Devid Kameron, ka ngritur alarmin se edhe vendi i tij kërcënohet nga rreziku i një sulmi ta ngjashëm me atë të Sidneit.Që prej gushtit të kaluar, Britania e ka ngritur në gjendjen e alertit ndaj terrorizmit në nivelin e dytë më të lartë për shkak të shtetasve të radikalizuar që mund të kthehen pasi kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak.