KLD, Meta: Do ta shohim me vëmendje vendimin e Kushtetueses
Shkarkimi i dy anëtarëve të KLD, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj duket se do të rishihet nga Kuvendi.Kryeparlamentari, Ilir Meta, nuk ka mundur të japë të njëjtën garanci si për vendimin e gjykatës Kushtetuese për hartën e re të territorit, por tha se vendimin për ligjin e KLD do ta shohë me ftohtësi.“Do të shohim me shumë qetësi dhe vëmendje çdo akt të Gjykatës Kushtetuese të zbardhur dhe do të jemi shumë të vëmendshëm.Do ta shikojmë vendimin kur ai të mbërrijë tek ne me shumë vëmendje. Do të tregojmë vëmendjen maksimale dhe respektin maksimal.Edhe një herë tjetër më duhet t’iu them që Kuvendi do ta shohë me vëmendje maksimale dhe është Kuvendi ai që do të vendosë” tha ai.Një ditë më parë,Gjykata Kushtetuese pranoi pjesërisht kërkesën e Partisë Demokratike që kërkoi shpalljen në papajtjueshmëri me Kushtetutën të nenit 4 të Ligjit për Funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe rrëzoi kërkesën e Presidentit të Republikës për shfuqizimin e nenit 7 po të këtij ligji.Opozita kërkoi shpalljen të papajtueshëm nenit që kushtëzon se anëtarët e KLD-së të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore duhet të kenë një përvojë pune në profesion jo më pak se 10 vjet, dhe anëtarët që zgjidhen nga Kuvendi, duhet të jenë juristë, jo gjyqtarë me një përvojë pune prej të paktën 15 vitesh në profesion.Ndërkohë, Presidenti i Republikës kundërshtoi nenin 7 të këtij ligji ku pika 1, 2 dhe 3 e tij përcakton përfundimin e mandatit për anëtarët e KLD-së.