Basti i kryeministrit Samaras për Presidencën greke
Zgjedhjet presidenciale në Greqi zakonisht nuk përbëjnë lajm. Kandidati i partisë në pushtet, që zakonisht është një politikan në prag pensioni dhe pa shumë ndikim, normalisht fiton 3/5-at e votave në raundin e tretë të votimit.Që 40 vjet më parë, kur Greqia u kthye nga Monarki në Republikë, nuk ka pasur asnjë problem politik madhor. Por këtë herë gjërat mund të jenë ndryshe.Kryeministri Antonis Samaras, i qendrës së djathtë, ka përshpejtuar mbajtjen e zgjedhjeve në datë 17 dhjetor, dy muaj para se 85-vjeçari Karolos Papulias të largohet nga detyra.Prej shumë analistëve kjo lëvizje është komentuar si mjaft e guximshme, në njëkohë kur ekonomia greke është mjaft e ndjeshme edhe ndaj ndryshimeve më të vogla politike.Tregjet financiare u zunë menjëherë nga paniku dhe çmimet në bursën e Athinës ranë me rreth 13% një ditë pasi u shpall vendimi i zgjedhjeve, ndërsa interesat e bondeve dhjetëvjeçare u rritën mbi 8%.Samaras e justifikoi vendimin e tij me idenë se donte të rikthente stabilitetin politik në vend, i cili sipas tij po cënohej nga kërkesat e vazhdueshme të partisë së ekstremit të majtë, Siriza, e udhëhequr nga Aleksis Cipras për zgjedhje të parakohshme.Momentalisht Siriza shihet si favorite nga sondazhet në krahasim me Demokracinë e Re të Samarasit, dhe në rastin që kandidati i tij, Stavros Dimas, nuk do të marrë votat e duhura në parlament, të paktën 180 nga 300 të mundshme, atëherë vendi do të jetë i detyruar të shkojë në zgjedhje të parakohshme.Deri tani Samaras ka të sigurta 155 votat e deputetëve të partisë së tij dhe 12 nga 24 deputetët e pavarur që janë larguar nga partia e tij ose Pasoku në shenjë proteste për masat shtrënguese të detyruara nga Bashkimi Europian.Rreth 6 deputetë të tjerë mund të binden që ta votojnë kandidatin e Samarasit vetëm për të shpëtuar vendin nga kriza, por sidoqoftë ky mbetet një bast i rrezikshëm për Kryeministrin grek, i cili po monitorohet nga afër prej aleatëve dhe kreditorëve.