Mat, Prokuroria kërkon 15 vjet burg për fajdexhiun, mashtroi 100 persona

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Mat kërkon dënimin me 15 vjet burgim për supermashtruesin Flamur Shahini. Organi i akuzës ka dhënë sot pretencën përfundimtare ndaj të akuzuarit për mashtrim.Në përfundim të hetimeve, ka rezultuar se Shahini u ka marrë para nëpërmjet mashtrimit 8 shtetasve, shuma e të cilave arrin në rreth 25 milion lekë të reja. I pandehuri u premtonte se paratë që u merrte borxh do t’ua rikthente me interes më të lartë sesa ato të bankave.I pandehuri, i cili është dënuar edhe më parë për të njëjtën vepër penale, është kallëzuar nga 8 shtetas, por ndërkohë që gjatë gjykimit ka rezultuar se ai ka mashtruar rreth 100 persona, pjesa më e madhe e të cilëve nuk kanë bërë kallëzim dhe nuk është përcaktuar shifra e parave që u ka marrë atyre personave.Po ashtu, rezulton se i pandehuri Shahini ka marrë kredi në shumën 10 milionë lekë të reja në shoqëri financiare para dy vitesh, të cilës nuk i ka likujduar asnjë këst.Pas mashtrimit të personave të ndryshëm, i pandehuri është larguar nga Shqipëria. Ai është arrestuar në Gjermani për llogari të hetimeve nga Prokuroria e Matit dhe është ekstradruar në 10 maj të këtij viti , duke vijuar gjykimin nën masën e sigurisë “arrest në burg”.Në përfundim të gjykimit, Prokuroria e Matit kërkoi sot nga gjykata dënimin e tij me 15 vite burgim.