Kosovë, sot votohet formimi i qeverisë së re

Sot Parlamenti i Kosovës  do të votojë  qeverinë e re të   përbërë nga koalicioni PDK - LDK. Ditën e djeshme koalicioni qeverisës vendosi për shtyrjen e seancës, por pa shpjegime nëse kjo ndodhi për shkak të Listës serbe apo për shkak të debateve rreth ndarjes së posteve në qeverinë e re.Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, mori të hënën mandatin për themelimin e qeverisë së re nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ndërsa u propozua nga kryetari i Partisë Demokratike Hashim Thaçi, pak kohë pasi që Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike nënshkruan marrëveshjen e plotë për bashkëqeverisje.Sipas marrëveshjes kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, mori postin e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të punëve të jashtme. Sipas saj, zoti Thaçi do të marrë postin e presidentit pas skadimit të mandatit të presidentes Atifete Jahjaga në pranverën e vitit 2016.Në fjalimin e tij para deputetëve, Isa Mustafa premtoi një qeverisje të qëndrueshme të përqendruar në zhvillimin ekonomik dhe në ruajtjen e partneritetit me faktorin ndërkombëtar.Mbledhja e së hënës pasdite u bojkotua nga deputetët e Listës serbe të cilët kanë vënë disa kushte për përfshirjen e tyre në qeveri, sic janë formimi i Asociacionit të Komunave Serbe, kthimi i qëndrueshëm i personave të shpërngulur, mundësimi i kthimit të pronës së Kishës Ortodokse Serbe si dhe anulimi i privatizimit të ndërmarrjeve në mjediset ku jetojnë serbët. Jo zyrtarisht thuhet se ata kanë kërkuar më shumë vende në qeveri ku tashmë u janë ndarë dy poste ministrash.Lista serbe mori pjesë në seancën e mesditës ku me 71 për, 41 kundër dhe një të paanshme zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli u zgjodh në postin e kryetarit të parlamentit.Kryetari i ri i Parlamentit Kadri Veseli, tha se deputetët duhet të punojnë për fuqizimin e partneritetit ndërkombëtar përfshirë edhe luftimin e ekstremizmit.Zoti Veseli i cili deri në vitin 2008 kishte drejtuar Shërbimin Informativ të Kosovës, që jo rrallë ishte temë përplasjesh ndërmjet Partisë Demokratike dhe partive tjera politike. Visar Ymeri, nga lëvizja Vetëvendosje e cilësoi të dëmshme zgjedhjen e tij në krye të Parlamentit.Të hënën u mbushen gjashtë muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe zvarritja e ndërtimit të institucioneve e kishte futur Kosovën në krizën më të thellë institucionale që nga shpallja e pavarësisë së saj në shkurt të vitit 2008.Kjo do të jetë hera e dytë që Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike merren vesh për koalicion qeverisës. Ato së bashku qeverisën vendin nga viti 2007 deri në vitin 2010 kur vendi shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme pas përplasjeve ndërmjet të dy partive për shkak të procesit të privatizimit dhe dorëheqjes së presidentit të atëhershëm të Kosovës, Fatmir Sejdiu.Pjesë e koalicionit ndërmjet Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike janë edhe partitë politike të pakicave kombëtare dhe shumica e re parlamentare pritet të ketë 86 deputetë.Marrëveshja ndërmjet dy partive më të mëdha, vazhdon të kritikohet nga partitë tjera shqiptare, të cilat e kanë cilësuar koalicionin e ri të dëmshëm për Kosovën dhe të ardhmen e saj.