FRESSH protestë: Basha s’mbajti premtimin për hapësira të gjelbëra. Reagon Bashkia

Në Ditën Kombëtare të Rinisë, një grup gjimnazistësh të Forumit të Rinisë Eurosocialiste të Shqipërisë, protestoi para Bashkisë së Tiranës, duke akuzuar kreun e saj Lulzim Basha, për mosmbajtjen e premtimeve elektorale.Sipas tyre,3 vjet më pare Basha premtoi më shumë hapësira të gjelbera dhe argëtuese për kryeqytetasit e për të rinjtë, por sot asnjë prej tyre nuk është realizuar.Pas protestës, Bashkia e Tiranës përmes një njoftimi për shtyp akuzoi Kryeministrin dhe ish- kryebashkiakun Rama se përdori nëpunës të administratës për të kërkuar hapësira të gjelbërta."Ish-kryebashkiaku Rama iu rikthye të vetmes dajre të vjetër që di t'i bjerë, të akuzojë gjithkënd për paaftësinë e tij. Njeriu që për 11 vjet betonizoi Tiranën nxorri sot nëpunësit e administratës për të kërkuar fusha.Nëse zoti Rama nuk do të betonizonte mbi 65 mijë metra katrorë lulishte në zemër të Tiranës vetëm në 4 vitet e tij të fundit si kryebashkiak do të kishte hapësira të shumta për pushim dhe argëtim për qytetarët e Tiranës.Nëse zoti Rama nuk do të bllokonte paligjshmërisht projektin e Bulevardit të ri, Tirana do kishte 7 parqe dhe mbi 300 mijë metra katrorë gjelbërim për kryeqytetasit dhe gjithë vizitorët e saj".