Rama: Qeveria pa ide, ka ardhur koha të largohet
Kryesocialisti Edi Rama ka akuzuar sërish qeverinë se po kopjon disa pjesë të programit të Partisë Socialiste, siç është heqja e TVSH-së për makineritë bujqësore të importuara, heqja e TVSH-së për pagat e ulta dhe kthimin e QSUT-së në një universitet mjekësor.Duke folur në mbledhjen e grupit socialist, Rama theksoi se kopjimi i programit të PS-së është një përpjekje e dëshpëruar për ti rezistuar një projekti që sipas tij është i parezistueshëm dhe që krijon çdo ditë mbështetje te njerëzit.“Përderisa qeverisë i ka ardhur koha të mbijetojë duke adoptuar copëza të projektit tonë atëherë asaj i ka ardhur edhe koha të largohet. Ne që kemi idetë kemi edhe aftësinë e duhur për ti realizuar këto ide” tha Rama.Rama ka theksuar gjithashtu se qeveria duke kopjuar programin e PS-së po mundohet të mbijetojë."Në mars të 2012 ne çuam në Kuvend projektin për heqjen e TVSH për imputet bujqësore dhe reduktim të TVSH për një pjesë të tyre, besoj se të gjithë i kanë parasysh reagimet absurde të qeverisë dhe kryeministrit që e akuzoi më shumë se njëherë PS për këtë propozim, duke pretenduar se ky propozim vinte nga kanalet e interesave të monopoleve, dhe sot jemi në kushtet kur vetë Berisha e ka deklamuar me të madhe adoptimin e kësaj mase. Në programin tonë eshtë shkruar që në 5 nëntor të 2011 një pjesë e planit për transformimin e sistemit të arsimimit në shëndetësi dhe u paralajmërua kthimi i QSUT në një universitet mjekësor, para pak ditësh kjo është marrë dhe është deklamuar si çuarje përpara e projektit të qeverisë. Dhe kulmi në këtë vazhdë kopjimesh të çoroditura dhe pa koherencë ka qenë deklamimi i masës për të hequr tatimin e fitimit të të ardhurave personale për ata që fitojnë deri në 300 mijë lekë. Berisha ka rrëzuar vetë të gjithë ngrehinën e propagandës kundër sistemit të taksimit të ndershëm” tha RamaRama gjithashtu ka shpalosur edhe projektin e PS-së për shëndetësinë të cilin e cilësoi si shumë ambicioz. Sipas tij, projekti i PS do të mundësojë një kontroll mjekësor bazë falas e të përvitshëm për grupmosha të caktuara brenda 2014, si dhe kontrolle falas vjetore për grupmoshat e grave nga sëmundjet tumorale të cilat janë rritur për shkak të çorodisë organizative në drejtim të parandalimit.