Kerry- Putin, shkëmbim akuzash në distancë
Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kerri, tha se Rusia është vetëizoluar nëpërmjet veprimeve të kryera në Ukrainë dhe mund të ringrejë reputacionin e saj në arenën ndërkombëtare vetëm duke i dhënë fund mbështetjes për separatistët pro-rusë.Në ditën e parë të takimit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, që po zhvillohet në Bazel, Kerri u takua edhe me ministrin e jashtëm rus, Sergej Lavrov."Rusia vazhdon të furnizojë me armë dhe të rrisë mbështetjen për separatistët e armatosur. Në këtë mënyrë ajo nuk përmbush detyrimet ndërkombëtare dhe të OSBE-së, si dhe ato të marrëveshjes që vetë ka firmosur. Vendet që mbështesin sovranitetin dhe të drejtat e Ukrainës nuk kërkojnë përballje. Rezultati është dëmtimi i kredibilitetit të vetë qytetarëve të saj të cilët po paguajnë ekonomikisht, por edhe ushtarakisht, pasi qindra ushtarë luftojnë dhe vdesin në një vend ku nuk kanë të drejtë të qendrojnë".Por Putini, duke folur para parlamentit rus, e përshkroi Rusinë si një vend të rrethuar nga armiqtë që duan ta shohin të shkatërruar. Edhe pse u zotua se nuk kishte ndërmend ta çonte Rusinë drejt vetëizolimit, ai konfirmoi edhe një herë se nuk ka ndërmend ta lëshojë më Krimenë."Përpjekjet e vazhdueshme të SHBA-së për të krijuar një sistem balistik mbrojtës edhe në Europë janë kërcënim jo vetëm për sigurinë e Rusisë, por për gjithë botën, sepse mund të shkatërrojë balancën strategjike të pushtetit. Kjo është dëmshme edhe për vetë Amerikën. Ne nuk do të ndjekim kurrë rrugën e vetëizolimit, ksnofobisë, dhe nuk kemi ndërmend të bëjmë armiq.Për ne Krimea ka një kuptim të shenjtë për qytetërimin tonë. Njëlloj si Jeruzalemi për muslimanët dhe hebrenjtë. Kështu do ta trajtojmë edhe ne tani e përgjithmonë".Ndërkohë që zhvilloheshin punimet e konferencës së OSBE-së, një turmë njerëzish protestonin në qendër të Bazelit për t'i kërkuar pjesëmarrësve më shumë mbështetje për Ukrainën, në përpjekjen e saj për t'u bashkuar me Europën Perëndimore.