Panariti replika me gazetarët për vezët: 30 lek i merrni te Sheratoni
Rritja e çmimit të vezëve është mohuar nga Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, megjithëse stituata në treg është krejtësisht e kundërta. Çmimi i vezëve ka pësuar rritje me 3 lekë. Tregëtarët thonë se me çmim më të shtrenjtë po bëhen furnizimet dhe kjo situatë ka gati një muaj.Tiranë- “Ka pasur spekulime sikur veza ka fluturuar në 30 lekë për kokërr, gjë që nuk është e vërtetë. Nuk ka rritje çmimi në kuptimin e një rritje që ju shpesh në mënyrë të çuditshme e keni raportuar si 30 lekë kokrra. Unë vetë kam lëvizur nëpër tregje, nëse do ta blesh vezën në Sheraton sigurisht që do ta blesh 30 lekë”.Situata në treg është ndryshe nga ajo që tha Ministri Panariti në konferencën për shtyp. Çmimi i vezëve ka gati 1 muaj që është rritur.Kjo diferencë nuk është bërë në vende të shtrenjta siç ironizoi Ministri i Bujqësisë , por në një aneks të tregut në Pazarin e Ri, ku ky tregëtar prej vitesh ushtron aktivitetin e tij.Edhe pse veza është një produkt bazë për shëndetin e qytetarëve, Ministri tha se do të monitorojë sittuatën, por pa dhënë detaje se kur do të nis të vërë në kontroll në këto rritje qofshin dhe abuzive.“Sa herë afrohemi në festa kemi rritje të çmimit dhe jo vetëm të vezëve. Ne do të monitorojmë tregjet. Për vezën duhet të caktojmë një çmim shumice që qytetarët ta dinë”.Ndërkohë gjatë një takimi me biznesin e prodhimit dhe të shpërndarjes së vezëve, biznesi shprehu shqetësimin se nëse do të kërkonin nga importi ulje të çmimit, cilësia e vezëve lë për të dëshiruar.“Çmimi nuk përbën as më shumë, as më pak sa vendet e rajonit.Greqia ka çmim edhe më të lartë. Nuk lëshojmë pe për cilësinë e tregut. Nëse do lejojmë import me çmim të ulët, cilësia do të jetë e ulët”.Jashtë kamerave, bizneset thanë se kostoja e biznesit të tyre është rritur, prodhimit vendas ka rënë, importi dhe zhdoganimet, janë arsye të cilat reflekohen në këtë rritje të çmimit.