Raundi i 5-të i dialogut me Serbinë, Thaçi informon Jahjagën
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në një takim Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e ka informuar presidenten Jahjaga për raundin e ardhshëm të dialogut që do të zhvillohet në Bruksel më 19 shkurt.Kryeministri Thaçi në këtë takim ishte i shoqëruar edhe nga koordinatori politik në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Blerim Shala.Kryeministri Thaçi e informoi Presidenten Jahjaga për raundin e ardhshëm të dialogut që do të zhvillohet në Bruksel më 19 shkurt, për temat që do të diskutohen, për marrëveshjet që synohen të arrihen, si dhe për delegacionin e ekspertëve nga Kosova që do të marrin pjesë.“Presidentja Jahjaga dhe kryeministri Thaçi biseduan edhe për manifestimet me rastin e pesëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe për përgatitjet që janë duke u bërë që ky përvjetor të organizohen dhe ta prezantojë shtetin në mënyrë dinjitoze”, thuhet në një komunikatë nga presidenca.Bëhet e ditur se presidentja dhe kryeministri Thaçi biseduan edhe për rrjedhat e reformës zgjedhore, si dhe për miratimin e ligjeve në Kuvendin e Kosovës të rëndësishme për plotësimin e kritereve nga axhenda evropiane për Kosovën.