Zhgënjim për pasaportat shqiptare, mediat reagojnë pas tërheqjes së Berishës

"Mashtrimet e Berishës", është ky titulli i gazetës “Express” në Kosovë, që flet për premtimin e kryeministrit Sali Berisha, se do të pajisë me pasaporta të Republikës së Shqipërisë shtetasit e Kosovës."Tha fjalë të mëdha e premtoi shumë. Kosovarëve u mjaftoi vetëm një deklaratë e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, dhe të gjithë menduan se shumë shpejt do t'i kenë në duar pasaportat e Shqipërisë. Vrapuan nëpër ambasadën e këtij shteti, e kërkuan informata se si mund të pajisen me nga një pasaportë që nuk kërkon vizë sikurse ajo e Kosovës. Por duket se rendit të gjatë të pritjeve nëpër ambasade u erdhi fundi të Dielën. Ishte kjo ditë kur shefi i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, i tërhoqi të gjitha fjalët që dolën nga goja e tij", shkruan gazeta “Express”.Por Berisha të dielën u tërhoq nga vendimi për të pajisur me pasaportë edhe shqiptarët e Kosovës. Kjo për shkak se sipas Kryeministrit, Shqipëria nuk mund të ndërmarrë një nismë ligjore me Kosovën, për shkak se vendi të cilin ai e drejton ka aplikuar për liberalizimin e vizave me BE-në dhe një marrëveshje e tillë, do të dëmtonte proçesin.Ndërkohë edhe veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, ka reaguar pas  deklaratës së kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, se kosovarët nuk mund të pajisen me pasaportë shqiptare."Për shqiptarët e Kosovës nuk do të them se do të ishte dëshpëruese, pasi ata e kanë një gjysëm atdheu. Mirëpo, për ata të mërgatës të cilët nuk kanë fare atdhe, kjo është zhgënjyese dhe dëshpëruese", ka thënë Demaçi në një intervistë për mediat në kosovë .Demaçi ka thënë se duket qartë se Berisha e ka bërë për fushatën zgjedhore."E paska bërë për fushatë zgjedhore, në mënyrë që t'i pushtojë zemrat e shqiptarëve, sepse në atë kohë po i bënin konkurrencë këta të Aleancës Kuqezi, të cilët flasin për bashkim kombëtar dhe si kundërpërgjigjeje ndaj tyre, Berisha e lëshoi një bombë", ka thënë Demaçi.