Ish-presidenti i Gllasgou Rejnxhërs, i kërkuari për mashtrime fshihej në Shqipëri
Ish-presidenti i klubit të famshëm skocez të futbollit, Gllasgou Rejnxhërs, Kreig Uajt, raportohet të ketë qendruar i fshehur edhe në Shqipëri dy vitet e fundit, në kohën kur kërkohej nga policia britanike pasi akuzohej për mashtrim. Lajmin e raporton gazeta britanike "Daily Record", ecila e nis artikullin për biznesmenin me titullin "Nga Shqipëria në Panama, ju zbulojmë udhëtimet e Kreig Uajtit".Uajt ka qenë president i klubit skovez në vitin 2011, por pasi dështoi në sipërmarrjen sportive ai kaloi disa kohë në Shqipëri, por edhe vende të tjera të ballkanit, si Kroacia dhe Mali i Zi. Ai u arrestua nga policia britanike pasi mbërriti nga Meksika të premten, ku ishte ndaluar nga autoritetet meksikane. Itinerari i udhëtimeve për t'iu fshehur autoriteteve përfshin edhe vende si Kosta Rika, Japonia, por edhe Franca. Megjithatë, 43-vjeçari u la i lirë me kusht, pasi u mor në pyetje nga hetuesit dhe pritet të dalë sërish para tyre javën e ardhshme.Sipas burimeve që citon gazeta britanike, ai nuk e ka pasur problem të kalonte disa herë në vendin tonë, i pashqetësuar nga autoritetet shqiptare e malazeze, edhe pse ai ishte në kërkim ndërkombëtar.Uajt u bë president i Rejnxhërsave në maj të vitit 2011, por pa mbushur vitin klubi falimentoi dhe ra në kategorinë e tretë. Ai akuzohet se ka siguruar paratë për të blerë aksionet e klubit duke shitur abonimet sezonale të tifozëve. Gjithashtu ai akuzohet për evazion fiskal, pasi nuk ka shlyer detyrimet e TVSH-së dhe ato të sigurimeve shoqërore të klubit, të cilat çuan edhe në falimentimin e tij.