Polici i Fergusonit jep dorëheqjen pas protestave të dhunshme
Darren Uillson, oficeri i policisë që vrau adoleshentin Majkëll Braun në gusht dha dorëheqjen të shtunën në mbrëmje. Këtë e konfirmoi avokati i tij.Në një intervistë telefonike për CNN, Uilson pranoi se ishte larguar nga rajoni i policisë së qytezës Ferguson, pasi kolegët kishin marrë kërcënime."Po dorëhiqem me dëshirën time", tha Uillson. "Nuk dua që të lëndohen persona të tjerë për shkakun tim". Megjithatë, ai tha që ky ishte vendimi më i vështirë që i është dashur të marrë.Uillson largohet nga policia pesë ditë pasi gjykata vendosi të mos e ndiqte penalisht për vrasjen e 18-vjeçarit Braun.Vendimi u bë shkak për protesta të mëdha përgjatë gjithë javës dhe në disa qytete të mëdha amerikane pati përleshje me policinë. Megjithatë, njerëzit mendojnë se vendimi i agjentit të policisë duhet të ishte marrë më herët.Sipas raportimeve në mediat amerikane, Uillson nuk do të marrë kompensim financiar për largimin, të cilin po e bisedonte me eprorët prej javësh, që para marrjes së vendimit.Sipas avokatit të tij, Uillsoni kishte qendruar i fshehur që prej kohës kur ndodhi incidenti dhe ka marrë mjaft kërcënime, madje adresa e shtëpisë së tij ishte bërë publike në internet.