Jessie J ndez Tiranën, këngëtarja bën me duar Shqiponjën gjatë koncertit
Ky ka qenë momenti kur prezantuesja e koncertit festiv në kryeqytet për 70-vjetorin e Çlirimit ka prezantuar daljen në skenë të këngëtares së njohur angleze Jessie J.Mijëra drita telefonash, të zotët e të cilëve teksa lageshin në shi nuk donin t’ia dinin as për aparatët celularë dhe as për lagien e tyre, do të përbushnin me çdo kusht qëllimin për të cilin ishin mbledhur, të fiksonin me foto dhe video çdo moment të performancës së saj live.E në fakt u deshën jo pak minuta pritje nën shi deri sa këngëtarja doli në skenë, e cila më pas elektrizoi të gjithë të pranishmit me këngët dhe energjinë e saj.Me hitet e saj të famshme botërore, Jessie J. ka bërë që festimet për 70 vjetorin e Çlirimit të jenë të paharrueshme për qytetarët shqiptarë.Koncerti festiv në sheshin “Nënë Tereza” kulmoi festimet për 70 vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë.Publikut nuk i kanë munguar edhe performancat e këngëtarëve shqiptarë Alban Skënderaj apo Elahaida Dani, të cilët kënduan bashkë me qytetaret ne shesh hitet e tyre më të njohura.(Video: Kronika e RTV Ora News)