Meta: Skrapari, mundësi për të kthyer vëmendjen e turistëve
Skrapari ka të gjithë mundësitë për tu shndërruar në një qytet turistik e për të kthyer vëmëndjen e turistëve jo vetëm të huaj por edhe vendas drejt bukurive të tij natyrore. Kështu ka deklaruar nga qyteti i tij i lindjes, Ilir Meta, i pranishëm në prezantimin e projektit për mbështetjen e turizmit të Skraparit, që vjen si bashkëpunim mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare."Besoj se jemi në kohën e duhur për të sjellë në vëmendje të turistëve vendas dhe të atyre ndërkombëtarë këto bukuri përrallore natyrore që u përmendën këtu. Natyrisht duke sjellë edhe disa produkte turistike që deri tani i mungojnë zonës, sidomos në fushën e shërbimeve, të ruajtjes së traditave dhe të prezantimit të tyre në mënyrë sa më të cilësore".Meta, i shoqëruar në këtë aktivitet nga ministra por edhe ambasadori italian në Tiranë Massimo Gaiani, shprehu bindjen se me mbështetjen e duhur, vlerat turistike që ka zona e Skraparit do të nxirren shumë shpejt në pah." Unë kam bindjen e plotë që shumë shpejt gjërat do të ndryshojnë , dhe do të ndryshojnë dhe ne nuk do të mbetemi vetëm në shfrytëzimin, ku prapë mbetet shumë hapësirë për më shumë bukuri tona bregdetare apo dhe malore në përgjithësi, por në veçanti të çdo zone. Lugina e Osumit është e jashtëzakonshme, është unike, aq më tepër kur ajo bashkohet edhe me luginën e Vjosës. Unë mendoj që projekti italian ka qenë shumë i suksesshëm në rrethin e Përmetit dhe besoj se do të jetë shumë i suksesshëm edhe këtu në Skrapar.Përvec shndërrimit të qytetit në një vend turistik, realizimi i këtij projekti ka synim edhe rritjen e punësimit dhe zhvillimit ekonomik të zonës.