Korea e Veriut kërcënon me teste bërthamore
Korea e Veriut ka kërcënuar se do të kryejë teste bërthamore në përgjigje të akuzave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për shkeljen e të drejtave të njeriut në vend.Ministria e Jashtme koreano-veriore akuzoi të enjten Shtetet e Bashkuara se kanë inskenuar rezolutën e OKB-së dhe kanë kërkuar që të ngrihen hetime.Deri tani, Korea e Veriut ka kryer teste bërthamore në vitin 2006, 2009 dhe 2013-ën, ndërkohë që nga pamjet e fundit që janë përcjellë përmes satelitit është vënë re aktivitet i shtuar në impiantin bërthamor të saj.Të martën, një komision i posaçëm në OKB kaloi në rezolutë që i kërkon Këshillit të Sigurisë që të padisë Korenë e Veriut në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve me akuzën për krime kundër njerëzimit, akuzë që Pjongiangu e mohon.Megjithatë, ka pak gjasa që Këshilli i Sigurisë do ta çojë çështjen në gjykatë, pasi Korea e Veriut gëzon mbështetjen e Kinës dhe Rusisë, të cilat nuk e votuan rezolutën e së martës.Gjatë të enjtes, televizioni shtetëror koreano-verior shfaqi foto të vizitës së të dërguarit special të Kim Jong Un në Rusi, Çoi Riong Hae, i cili është takuar atje me Presidentin rus, Vladimir Putin, duke dëshmuar kështu rritjen e aktiviteteve diplomatike mes dy vendeve.Po sot, delegacioni koreano-verior u takua me Ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov, konfirmoi se mes dy vendeve ka plane të mëdha për të ardhmen e përbashkët, në tregti dhe investime.Rusia, bashkë me Kinën, Korenë e Jugut, Japoninë dhe Shtetet e Bashkuara, është pjesë e grupit të bisedimeve me Korenë e Veriut për programin e saj bërthamor.