Prokuroria Vlore kërkon 2 vjet burg për ish-drejtorin urbanistik të Bashkisë Vlorë
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka kërkuar 2 vjet burg dhe 2 vjet heqje të të drejtës për të ushtruar funksione publike për Odhise Zoto, ish-drejtor Urbanistik në Bashkinë e Vlorë, i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.Prokuroria e Vlorës njofton se pas hetimeve u arrit në konkluzione se ky shtetas, në kundërshtim me ligjin dhe me detyrën që mban, ka hartuar dokumentacionin për ngritjen e një godine shërbimi dhe banimi në breg të detit, në zonën e Ujit të Ftohtë, në Vlorë, nga shoqëria “G.B. A-Konstruksion” sh.p.k, një zonë në të cilën nuk lejohet absolutisht ndërtimi.Në bazë të veprimeve proceduriale, rezulton se i pandehuri, në cilësinë e drejtorit urbanistik të Bashkisë Vlorë, pas shqyrtimit të kërkesës së dorëzuar nga ana e shoqërisë së ndërtimit, ka nxjerrë aktin me shënimin Të mos kalojë për miratim në KRRT. Të vendosë KRRT”. Por, ndërkohë rezulton që kjo kërkesë, pasi ka kaluar për vendimmarrje në Këshillit të Rregullimit të Territorit (KRRT), Bashkia Vlorë, është votuar nga të gjithë anëtarët, përfshirë edhe të pandehurin Zoto (si anëtar i KRRT-së), i cili vetë ishte shprehur se nuk duhet të miratohet (në cilësinë e drejtorit urbanistik).Për më tepër, shkelja e detyrës nga ana e të pandehurit konsiton edhe në faktin që kjo kërkesë nuk duhej të kalonte për shqyrtim në KRRT prej tij, pasi pozicioni i tij është filtri kryesor për kërkesat që shqyrtohen nga KRRT. Ky shtetas, pavarësisht se ka pasur bindjen se kërkesa nuk duhej miratuar, për faktin që kërkohej ndërtimi në një zonë të palejuar për ndërtime, sërish e ka përcjellë këtë kërkesë për vendimmarrje në KRRT.