Irakianë dhe kurdë, marrëveshje për naftën!
Qeveria e Irakut dhe ajo e krahinës autonome kurde kanë nisur zbatimin e një marrëveshjeje sipas së cilës Bagdadi do të rifillojë të paguajë rrogat e administratës civile kurde në këmbim të një pjesë të fitimit të eksporteve të naftës.Marrëveshja synon që të sheshojë sa më tepër problemet mes qeverisë qendrore dhe asaj lokale, duke pasur parasysh rrezikun e përbashkët që u kanoset nga militantët e Shtetit Islamik. Ministri i financave, Hoshijar Zebari, konfirmoi në konferencë për shtyp se qeveria në Bagdad i ka akorduar rreth 500 milionë dollarë Qeverisë Rrajonale Kurde, në këmbgim të 150 000 fuçive nafte në ditë, pothuajse gjysmën e prodhimit të saj të destinuar për eksport. Dorëzimi i naftës do të bëhet në portin turk, Xhejhan, ku ndodhen edhe depozitat irakiane.Qeveria qendrore kishte vendosur më parë të ndërpriste pagesat për kurdët si ndëshkim për eksportimin e naftës pa miratimin e tyre. Por pavarësisht krizës financiare që kapi rrajonin autonom kurd, autoritetet lokale vazhduan prodhimin e naftës dhe arritën të eksportonin nëpërmjet Turqisë rreth 300 000 fuçi në ditë.Tensionet mes kurdëve dhe shumicës arabe në Irak kanë qenë të mëdha, por rreziku i përbashkët i Shtetit Islamik i ka detyruar palët të bashkëpunojnë për të mirën e përbashkët. Megjithatë, presidenti i qeverisë rrajonale kurde, Masud Barzani, ka kritikuar perëndimin që të sigurojë më shumë armatime për forcat Peshmerga, në mënyrë që t'i japin një goditje përfundimtare ekstremistëve që kanë zaptuar sipërfaqe të shumta toke në Siri dhe Irak.Kritik me perëndimin ka qenë edhe presidenti turk, Rexhep Taip Erdoan, i cili mendon se sulmet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk po i japin zgjidhje problemit në rrajon. Në një konferencë për shtyp në Ankara, Erdoan tha se duhet të ketë një plan edhe për të rrëzuar regjimin e Bashar Al-Asadit. "Nuk është arritur ende ajo që duhej bërë. Mashtrojmë veten nëse mendojmë që e kemi bërë detyrën tonë nëse kufizohemi vetëm në armatimin e rebelëve. Iraku dhe Siria duhen ndarë si çështje. Koalicioni nuk i ka ndërmarrë ende masat që i kemi kërkuar, ndaj Turqia do të vazhdojë të mbajë pozicionin e saj", u shpreh Erdoan, i cili theksoi edhe një herë se Asadi është rrezik më i madh se sa Shteti Islamik.