Hakmerret ndaj krimeve Izraeli, hedh në erë shtëpinë e një palestinezi
Një ditë pas masakrës në një Sinagogë të Jeruzalemit, autoritetet izraelite kanë hedhur në erë shtëpinë e palestinezit që një muaj më parë shtypi dy persona me makinë pranë një stacioni tramvaji.Shtëpia e 21-vjeçarit, Abdel-Rahman Shaludi, u hodh në erë para agimit të së mërkurës. Vetë Sahludi është vrarë nga policia që më 22 tetor, kur me makinën e tij shtypi një fëmijë tremuajsh dhe një turist 22-vjeçar nga Ekuadori.Kjo praktikë ishte ndjekur edhe më parë nga qeveria izraelite, por ishte ndërprerë në vitin 2005 me arsyetimin se nuk i shërbente qëllimit për parandalimin e sulmeve. Por shembjet me vendim gjykate rinisën këtë vit.Rrugët e qytetit janë mbushur me forca të shumta sigurie, sidomos në pjesën e qytetit të vjetër ku ndodhen edhe vendet e shenjta të hebrenjve e muslimanëve.Forca policie kanë rrethuar edhe sinagogën Kehillat Bnei Torah në lagjen perëndimore të qytetit, ku ndodhi edhe masakra e një ditë më parë.Përveç katër të vdekurve në vend, tre shtetas amerikan dhe një britanik, sot është mësuar se ka ndërruar jetë edhe një person i pestë, një oficer policie, i cili është qëlluar në kokë ndërsa po përpiqej të shpëtonte civilët.E ndërsa kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, ka akuzuar drejtpërdrejtë presidentin Mahmud Abaz si nxitës të akteve të dhunës, ai pranon se sulmet e ndodhura muajt e fundit janë pjesë e betejës për të fituar Jeruzalemin.Ai u zotua se do të merrte hak ndaj atyre që i quajti terroristë, duke premtuar se do të shembë edhe shtëpitë e dy kushurinjve autorë të masakrës, Udai dhe Hasan Abu-Xhamal.Të dy të dyshuarit, të moshës 22 dhe 27 vjeç, u vranë nga forcat e policisë pak çaste pasi ndodhi ngjarja.Ndërkohë, pas ceremonive mortore të katër të vrarëve në Jeruzalem, një grup protestuesish hebrenj u mblodhën para misionit palestinez në Nju Jork, për të dënuar masakrën.Ata bënë përgjegjës Presidentin palestinez, Mahmud Abaz për ngjarjen. Tre rabinët amerikanë u nderuan edhe nga kolegët e tyre në komunitetin hebre në Kansas Siti të shtetit të Misurit.