Kinë, mbahet konferenca e parë botërore e internetit

Konferenca e parë botërore e internetit nisi të mërkurën në provincën lindore të Kinës, Zheijang, pikërisht për të treguar rritjen e ndikimit të vendit në industrinë globale teknologjike dhe pozitat e tij në problemet e internetit.Konferenca, e cila do të zgjasë deri të premten, organizohet nga agjencia e sapoformuar kineze për Administrimin e Hapsirës Kibernetike. Në të morën pjesë politikanë kinezë dhe drejtues të lartë të industrisë, përfshi edhe drejtuesin e kompanive gjigante kineze, si Alibaba Group Holding, Tencent Holdings dhe Baidu.Drejtori i Administratës së Hapsirës Kibernetike, Lu Vei, doli në mbrojtje të politikave kineze për çensurimin e internetit në vend, me justifkimin se kjo ishte vendimtare për ruajtjen e interesave të Kinës në bashkëveprimin kibernetik me shtetet e tjera.Por pavarësisht publicitetit pozitiv, Amnesty International ka deklaruar se konferenca është vetëm fasadë e përpjekjeve të qeverisë kineze për të ndikuar sa më shumë në hapwsirën kibernetike botërore, duke këmbëngulur se liria në internet është vazhdimisht në sulm.