Dështon G20, Presideti Putin largohet para mbylljes së punimeve

Pavarësisht zbutjes së tensioneve mes udhëheqësve të 20 vendeve më të industrializuara të botës para fillimit të samitit të Australisë, e gjithë vëmendja ka qenë te Presidenti rus, Vladimir Putin dhe kriza në Ukrainë.Kryeministri australian, Toni Abot, u prezantoi Putinit, Obamës dhe të tjerëve kafshën e dytë simbol të vendit të tij, koalan. Pavarësisht tensioneve, të gjithë nuk nguruan të qeshnin ndërsa përqafonin kafshët e këndshme, të cilat ishin stërvitur që më parë për të qendruar në krahët e njerëzve më të fuqishëm të botës.Megjithatë, të dielën Putini u largua nga Brisbejni para mbylljes zyrtare të samitit dyditor, me justifikimin se udhëtimi deri në Rusi ishte i gjatë dhe donte të flinte.Edhe pse pranoi se kriza e Ukrainës ka shumë mundësi të zgjidhet shpejt, ai hodhi poshtë pretendimet e perëndimit se ushtria e tij është futur në territorin ukrainas.Megjithatë ai kritikoi Kievin për vendosjen e bllokadës ekonomike për lindjen e vendit. “Mendoj se gjendja në Ukrainë ka mundësi të mira të zgjidhet, duke pasur parasysh gjithmonë interesin e njerëzve që jetojnë atje, përfshi edhe pjesën lindore të vendit”, u tha Putin një paneli të zgjedhur gazetarësh.Megjithatë, kritikat e Obamës ndaj Putinit kanë qenë të ashpra. “Nuk mund të pushtosh një vend, apo të mbështesësh kryengritje që mund të ndajnë në dysh një vend demokratik”, u shpreh Obama para gazetarëve, due shtuar se sanksionet që i kanë vendosur Rusisë po japin efekt dhe për sa kohë do të jetë kështu, do të mbeten në fuqi.Mjaft i ashpër me Putinin ka qenë edhe kryeministri britanik, Devid Kameron, i cili e paralajmëroi presidentin rus se po e izolon edhe më tej vendin e tij.“Mendoj se qendrimi i bashkuar i Europës dhe SHBA-së ka qenë diçka e mirë. Dhe kemi vendosur që të vazhdojmë të rrisim presionin ndaj Rusisë nëse ajo vazhdon të destabilizojë Ukrainën. Mendoj se Putini e kupton që ndodhet në udhëkryq dhe e di mjaft mirë se ka një rrugëdalje”, tha Kameron.Sanksionet e vendeve perëndimoren ndaj Rusisë kanë prekur sektorë si ai i energjitikës, bankave, por edhe individëve të veçantë që kanë lidhje të afërta me Putinin. Dhe deri tani efektet janë të dukshme pasi me rënien e çmimit të naftës, buxheti rus është ngushtuar dhe rubla ka arritur në nivelet më të ulta historike.Para se të largoheshin nga Australia, pavarësisht mungesës së Putinit, udhëheqësit e vendeve pjesëmarrëse në samit kanë pozuar për një foto në grup.Edhe pse në qendër të bisedimeve duhet të ishte rritja ekonomike globale, siguria në disa rajone dhe ndryshimet klimaterike dolën në plan të parë. Megjithatë, pjesëmarrësit firmosën një paketë masash që ka si synim të rrisë me 2,1% ekonominë globale brenda pesë vitesh.G20 përbëhet nga 19 shtete të veçanta: Argjentina, Australia, Brazili, Britania e Madhe, Kanadaja, Kina, Franca, Gjermania, India, Indonezia, Italia, Japonia, Korea e Jugut, Meksika, Rusia, Arabia Saudite, Afrika e Jugut, Turqia, Shtetet e Bashkuara, si dhe Bashkimi Europian. Vendet e këtij grupi zhvillojnë rreth 80% të tregtisë dhe përbëjnë rreth 85% të ekonomisë botërore.