Erdogan: Myslimanët zbuluan Amerikën në 1178, jo Kristofor Kolombi
Në një takim me krerët e institucioneve muyslimane në Amerikën e Jugut, presidenti turk ka tërhequr sërish vëmendjen duke pretenduar se kanë qenë eksploratorët myslimanë që kanë zbuluar Amerikën para Kolombit. Madje ai citon vetë pasazhe nga kujtimet e eksploratorit italian për të mbështetur teorinë e tij!Gjatë një takimi në Stamboll me krerët e komuniteteve myslimanë në Amerikën e Jugut, presidenti turk, Rexhep Taip Erdoan, ngriti pretendimin se në fakt kanë qenë myslimanët zbuluesit e vërtetë të Amerikës, dhe jo Kristofor Kolombi. Pavarësisht se shumë vetë e kanë debatuar teorinë e zbulimit të Amerikës nga Kolombi, duke ia atribuar lundërtarëve vikingë, asnjëherë nuk ishte vënë në dyshim se Bota e Re ishte zbuluar nga vendet e Europës perëndimore!Megjithatë, për Erdoganin, gjërat janë ndryshe."Kontaktet mes Amerikës Latine dhe Islamit datojnë që në shekullin XII. Muslimanët e zbuluan Amerikën në vitin 1178, jo Kristofor Kolombi. Lundërtarët muslimanë mbërritën në Amerikë në vitin 1178. Vetë Kolombi përmend në kujtimet e tij praninë e një xhamie në një kodër në bregdetin kuban"Nuk është hera e parë që Erdogan bëhet protagonist, por sa i vërtetë është pretendimi i tij?Vetë presidenti turk mbështet në kërkimet e një grupi të vogël studiueshish të cilët besojnë se ka dëshmi arkeologjike dhe dokumenta që provojnë praninë e muslimanëve në kontinentin amerikan para Kolombit.Në një studim të botuar në vitin 1996 nga studiuesi Jusef Mrueh, akademik i Fondacionit As-Sunah të Amerikës, përmendet një xhami e parë nga vetë Kolombi në një kodër në Kubë, të cilën ai e përmend edhe në kujtimet e tij. Shumica e studiuesve pretendojnë se "xhamia", në fakt është një metaforë për të përshkruar tiparet e peisazhit.Por Mrueh, edhe pse nuk është i listuar si historian në asnjë institute universitar në botë, pretendon se eksploratorët e mbretërive muslimane në Afrikën perëndimore bënë të njëjtin udhëtim si Kolombi përmes Atlantikut shumë kohë para italianit.Të tjerë studiues i nxjerrin përfundimet nga një hartograf i famshëm në periudhën e Emirateve muslimane në Spanjë, i cili në një hartë të shekullit X ka paraqitur edhe një siluetë të Amerikës së jugut duke iu referuar udhëtimit të një anije arabe që lundron drejt perëndimit.Për zbulimin e Amerikës ka edhe disa teori lindore, për fiset e Polinezisë të mbërritur me varkat e tyre primitive në kontinent përmes oqeanit Paqësor…Sidoqoftë, teoria që ka zënë më shumë vend pas historisë zyrtare është ajo e eksploratorëve vikingë që mbërritën në Kanada pesë shekuj para ekspeditës së Mbretërisë Spanjolle.Kolonizimi i Amerikës u pasua në Spanjë me atë që u quajt "Reconquista", ose dëbimi i shteteve të fundit muslimane në gadishullin iberik nga katolikët. Shumë prej ushtarëve spanjollë që kalonin Atlantikun frymëzoheshin edhe nga Inkuizicioni dhe shpesh i quanin "maurë" apo "të pa fe" popullsitë indigjene që gjenin aty, si dhe tempujt e tyre "xhami".