Urrejtja ndaj emigrantëve,Papa kërkon masa ndaj urgjencës sociale
Papa Françesku u bëri thirrje autoriteteve europiane që të merren me problemet e migrantëve në kontinent, përndryshe do të ketë përkeqësim të marrëdhënieve mes vendasve dhe emigrantëve.Gjatë meshës së zakonshme të së dielës në Vatikan, Papa i kërkoi institucioneve europiane të çdo niveli që të merren masa ndaj kësaj "urgjence sociale" që rrezikon të degjenerojë në disa qytete të Europës."Të dashur vëllezër dhe motra, në ditët e fundit tensionet mes banorëve të Romës dhe emigrantëve kanë qenë të larta. Kjo po ndodh edhe në qytete të tjera të Europës, sidomos në lagjet periferike dhe kanë edhe probleme të shtuara.U bëj thirrje institucioneve të çdo niveli që t'i japin prioritet asaj që tanimë mund të quhet një urgjencë sociale, e cila mund të përkeqësohet edhe më tepër nëse nuk ndalohet".Papa kërkoi gjithashtu edhe përfshirjen e komunitetit të krishterë, në mënyrë që përballjet kundër palëve të kthehen në takime për të njohur njëri-tjetrin."E rëndësishme është që të mos i dorëzohemi tundimit për të luftuar dhe të refuzojmë dhunën. Është e mundur që të flasim, të dëgjojmë dhe të planifikojmë sëbashku. E në këtë mënyrë të kalojmë dyshimet dhe paragjykimet për të krijuar një bashkëjetesë më të sigurt, më të paqtë e më gjithpërfshirëse".Protestat kundër emigrantëve në periferitë e Romës këtë javë kanë nxjerrë në dritë një krizë të vërtetë në lagjet e varfra të kryeqytetit italian, të cilat po shfaqin më në fund pasojat e neglizhencës dhe mungesës së investimeve prej disa vitesh.Kryebashkiaku i Romës, Injacio Marino, u desh të përballej edhe vetë të premten me turmat e tërbuara të romanëve, të cilët akuzojnë emigrantët që jetojnë në strehat e të varfërve që merren me trafik droge dhe sulmojnë banorët.Edhe pse protestat romane nuk kanë të krahasuar me ato të Parisit në vitin 2005, problemet e lagjeve të varfra kanë alarmuar autoritetet, pasi rasti është shfrytëzuar edhe nga politikanë të ekstremit të djathtë.Vetëm këtë vit, në Itali kanë mbërritur më shumë se 100 000 emigrantë nga Afrika, duke sjellë edhe reagimin e shtresës së ulët në Itali për kujdesin dhe shpenzimet, që tregojnë autoritetet ndaj tyre.