AAK: Vetëm Ramush Haradinaj kryeministër

Ramush Haradinaj do të jetë kandidat i bllokut për kryeministër, sepse kështu e thotë edhe marrëveshja e 10 qershorit, thonë zyrtarët e AAK-së.

Në LDK ende nuk ka një qëndrim të qartë se kush do të jetë kandidati për kryeministër. Vetëvendosje thotë se mbështesin marrëveshjen e arritur më herët.

Në AAK thonë se Ramush Haradinaj është i vetmi kandidat për kryeministër, ashtu siç janë pajtuar me LDK-në dhe Nismën me marrëveshjen e 10 qershorit. Kjo edhe pas takimit të liderëve të Bllokut të premten mbrëma.

` Nuk ka ndonjë ndryshim në këtë aspekt dhe kjo është konfirmuar edhe mbrëmë në takimin e liderëve të Bllokut apo koalicionit të shumicës që u mbajt në selinë e AAK-së", tha zedhensi i AAK, Ernest Luma.

Gjatë ditës, NISMA për Kosovën ka mbajtur takim me degët, por askush nga zyrtarët e saj nuk pranoi të fliste për RTK-në, kurse Haki Rugova, nënkryetar i LDK-së, beson në mirëkuptim të partnerëve të bllokut.

Rugova në një deklarim për Kosovapress është shprehur se beson që edhe partneri i koalicionit, AAK, do të ketë mirëkuptim dhe do të ketë qasje pozitive, duke mos e dëmtuar marrëveshjen, por edhe krijimin e mundësisë që të ecet përpara.

Por, ndryshe thotë Luma nga AAK-ja.

`Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj vazhdon të jetë i nominuar i koalicionit të shumicës për kryeministër të ardhshëm të Republikës së Kosovës`, vijoi Luma.

Kurse për analistët është e qartë se tash vendi është në fund të kësaj gjendjeje të padurueshme e të pakuptueshme.

`Haradinaj është shfaqur këmbëngulës në kërkesnë e tij mirëpo kjo nuk varet shumë nga z. Haradinaj por varet nga z. Mustafa por edhe presionit ndërkombëtar`. thote analisti Artan Muhaxhiri.

Sipas tij, deklarimet e fundit të ambasadorëve janë presion i madh tek liderët. Ndërkohë që pas takimit të liderëve të bllokut të premten mbrëma, kreu i AAK-së ri-deklaroi se ai është i nominuari i vetëm për kryeministër.

Marrë nga RTK