Romët e Selitës, Totozani: Situata kritike, shteti t’i gjejë strehim
Institucioni i Avokatit të Popullit ka shprehur një shqetësim të madh për komunitetin rom në zonën e Selitës, ku ata po dëbohen prej andej për shkak të një projekti. Avokati i Popullit kërkon menjëherë që ky zbatimi i projektit të pezullohet ose shteti t’i gjejë strehim.“Avokati i Popullit shpreh qëndrimin se familjeve rome duhet tu ofrohet asistenca e nevojshme me qëllim që të jenë efektivisht të aftë të gëzojnë dhe ushtrojnë të njëjtat të drejta si edhe personat e tjerë. Autoritetet shtetërore kanë detyrimin për tu siguruar strehim, mundësi alternative strehimi ose një zgjidhje më të balancuar për këto familje, të cilat aktualisht gjenden përpara një situate kritike.Në këtë këndvështrim është e domosdoshme që autoritetet të pranojnë pezullimin e zbatimit me forcë të projektit përderisa është relevante cënimi i të drejtave themelore të njeriut.”Në një deklaratë dërguar mediave thuhet se Avokati i Popullit ka kontaktuar me familjet rome të cilat janë tashmë në prag të dëbimit nga pronat e tyre, si rezultat i zbatimit të një projekti publik.“Nga verifikimi i dokumentacionit dhe problematikave, kemi konstatuar se ka mangësi në procedurat e ndjekura, zvarritje të procedurave ligjore, për të cilat familjet rome kanë plotësuar në përgjithësi detyrimet ligjore, si edhe mungesë të informacionit publik dhe njohje me aktet zyrtare që janë miratuar në kuadër të këtij projekti.”Avokati i Popullit thekson faktin se gjatë zbatimit të projektit nuk duhet të kemi cënim të të drejtave të njeriut për pjesëtarët e komunitetit rom. Zbatimi jo korrekt dhe i drejtë i procedurave do të shkaktojë rritje të numrit të të pastrehëve nga rradhët e këtij komuniteti. Procedurat duhet të përfshijnë konsultimin me publikun ose me personat individual të prekur, njoftime të arsyeshme si dhe dhënie të informacionit zyrtar, duke i pajisur njëkohësisht me aktet që i referohen veprimeve që do kryhen nga autoritetet shtetërore.Cënimi dhe prishja e shtëpive të familjeve rome, pa ndjekur dhe respektuar në mënyrë të drejtë procedurat ligjore, përbën cënim të drejtpërdrejtë të nenit 8 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Ky qëndrim është konfirmuar edhe nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg përmes vendimit në cështjen Jordanova dhe të tjerë kundër Bullgarisë.Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut është pjesë përbërëse e rendit juridik në Shqipëri dhe duhet të shërbejë si pikë orientimi për autoritetet shtetërore gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre, me qëllim që familjeve rome tu garantohen dhe respektohen të drejtat e parashikuara në këtë Konventë.