Arrestohet 34 vjeçari gjatë seancës, kishte dalë të gjykohej në vend të vëllait

Berat - Klodjan Lazaj, është paraqitur në një seancë gjyqësore në ngarkim të vëllait të tij, duke përdorur identitetin e këtij të fundit për tu përballur me akuzën e "Mashtrimit dhe Fallsifikimit të Akteve të Gjendjes Civile".Gjykata e Shkallës së Parë në Berat po gjykonte në mungesë shtetasin Blerdi Lazaj. Pas dy seancash mungese, çdo gjë vijoi normalisht deri në momentin kur është kërkuar që i akuzuati të paraqesë kartën e identitetit. Me anë të verifikimit të saj, trupi gjykues dhe prokurori i çështjes kanë vënë re se nuk ishte i njëjti person që po gjykohej.Menjëherë është njoftuar policia, e cila arrestoi në sallën e gjyqit 34-vjeçarin. Pas marrjes në pyetje ai ka deklaruar se është vëllai i Blerdi Lazaj dhe ishte paraqitur në gjyq për shkak të pamundësisë së vëllait të tij për të ardhur, pasi ky i fundit ndodhej jashtë shtetit.Përdorimi i identitetit të rremë do ta çojë 34-vjeçarin nga Fieri, sërish para togave të zeza, por këtë herë për t'u përballur me akuzën në ngarkim të tij për dhënien e dëshmisë së rreme.