Zonja e Parë Nishani:Nuk kemi më një Mbretëreshë të Malësorëve si Durham
Tiranë – “Zor se mund të gjendet një e dytë, edhe ndër shqiptarë, që ta ketë dashur Shqipërinë sa ‘Mbretëresha e Malësorëve’, Edith Durham. Ajo ndikoi ndoshta më tepër se çdo i huaj tjetër për njohjen e shtetit shqiptar dhe në përgjithësi Shqipërisë.”Me të tilla fjalë e ka vlerësuar, Zonja e Parë Odeta Nishani, shkrimtaren dhe antropolen angleze Mary Edith Durham, në një veprimtari në Presidencë me rastin e 70-vjetorit të ndarjes së saj nga jeta.“Në fillim të shekullit të kaluar, kur Shqipëria ishte aq e panjohur sa dukej koha kishte ndalur, në Shqipëri erdhi dikush që nuk ishte ushtarak, eksplorator, studiues, madje nuk ishte burrë, ishte femër, ishte grua, - tha Nishani në fjalën përshëndëtesë për studioues, politikanë, diplomatë të huaj. - Kjo femër ishte anglezja e jashtëzakonshme Edith Durham, ajo së cilës jemi mbledhur sot ta kujtojmë me respekt dhe dashuri të veçantë në 70-vjetorin e largimit nga kjo jetë. Edith Durham, e deshi Shqipërinë dhe shqiptarët pafundësisht.Edit Durham nuk e shëtiti Shqipërinë dhe Kosovën me makinë, tren apo autobus, por kryq e tërthor pëllëmbë për pëllëmbë, më këmbë, me entuziazëm dhe ekzaltim të pashtershëm, pa u lodhur dhe pa u ankuar kurrë. Kjo është arsyeja që librat e saj lexohen ende sot dhe gjithmonë do lexohen me shumë ëndje. Zor se mund të gjendet një e dytë, edhe ndër shqiptarë, që ta ketë dashur Shqipërinë sa ‘Mbretëresha e Malësorëve’, Edith Durham. Ajo nuk la rast pa bërë diçka për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Studiuese, udhëpërshkruese, bamirëse, eksploratore, etnologe, lobuese në qarqet qeveritare dhe diplomatike më të larta angleze dhe evropiane të kohës, deri edhe korrespondente lufte, mes një mijë vështirësish dhe pengesash, Edith Durham ndikoi ndoshta më tepër se çdo i huaj tjetër për njohjen e shtetit shqiptar dhe në përgjithësi Shqipërisë.” – u tha më tej.“Edith Durhamin mund ta quajmë me plot gojën, jo vetëm një angleze heroike, por edhe një shqiptare të pamposhtur, e cila, pasi na zbuloi dhe dëshmoi, na deshi aq tepër, sa sakrifikoi veten, dhe ndër ne la shpirtin e saj.” – përfundoi fjalën e Saj Zonja e Parë.Veprimtarinë përkujtimore e përshëndeti edhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Cannon Obe, antropologu Përparim Kabo, botuesja Elisabeth Goëing, ndërsa të pranishmit e shumtë që përfshinin përfaqësues të Trupit Diplomatik, studiues, akademikë, etj., ndoqën me ëndje edhe pasazhe nga kujtimet e udhëtimeve të Edith Durhamit nëpër Shqipëri të lexuara dhe interpretuar nga aktoret e mirënjohura shqiptare, Rajmonda Bulku dhe Yllka Mujo.ar.sh/Oranews.tv