Polakët, protesta anti-europiane në ditën e pavarësisë
Duhet të ishte një ditë festive me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Polonisë të martën, por turmat e njerëzve që kishin dalë në rrugë u përleshën me policinë.Kësaj të fundit iu desh ndërhyrja me ujë me presion dhe plumba gome për të shpërndarë disa qindra protestues me maska që i përkisnin grupimeve të ekstremit të djathtë.Grupimet nacionaliste besojnë se vlerat tradicionale polake janë nën kërcënim dhe për këtë arsye për të katërtin vit radhazi marshimi i tyre në këtë ditë të shënuar degjeneroi në dhunë.Turma e nacionalistëve u shkëput nga dhjetra mijëra tubues të qetë në Varshavë menjëherë pas kalimit të urës mbi lumin Vistula, pranë stadiumit kombëtar.Ata shkatërruan ndenjëset në stacionet e autobuzëve dhe goditën me to policinë ndërkohë që kjo e fundit u kundërpërgjigj. Sipas autoriteteve, janë arrestuar më shumë se 200 persona, shumë prej tyre që para fillimit të marshimit, pasi mbanin në duar mjete që mund të përdoreshin si armë.E drejtuar nga qeveria e qendrës së djathtë, Polonia po kalon një periudhë prosperiteti të papërjetuar më parë në historinë e saj moderne.Megjithatë, një pjesë e popullsisë mendon se vlerat tradicionale - si lidhja me Kishën Katolike, moslejimi i abortit dhe i martesave të së njëjtës gjini - po flijohen për shkak të idealeve të Bashkimit Europian.Në fillim të marshimit pjesmarrësit bërtitën "Poshtë Bashkimi Europian!", madje pati edhe një grup të vogël që nisi të imitonte përshëndetjen naziste, por u ndaluan nga organizatorët.Dita e Pavarësisë në Poloni, festohet më 11 nëntor, për të përkujtuar rivendosjen e Republikës së Dytë Polake në vitin 1918, pas 123 vitesh kur vendi kishte qendruar i ndarë mes Perandorisë Ruse, asaj Habsburge dhe Mbretërisë së Prusisë.