Mesazhet e Ramës në Serbi, Qosja: Të mençura, me dinjitet dhe largpamësi
I ndodhur në Tiranë për shkak të pjesëmarrjes së tij në Panairin e Librit, akademiku i njohur Rexhep Qosja, ka dhënë mendimin e tij për vizitën dhe sidomos fjalimin e Ramës të hënën në Beograd.Për Qosen, vizita e Ramës ka rëndësi të madhe edhe për Kosovën dhe Kryeministri u tregua i zgjuar kur i tha Vuçiçit se Kosova është e pavarur, një fakt që tashmë është realitet."Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e tha shkoqur, e tha mençur, e tha mirë, e tha dinjitetshëm, e tha me largedhni politike atë që pritej dhe dëshirohej në Kosovë; Serbia duhet ta njoh Kosovën, është punë e kryer, është një realitet.Punë e kryer çështja e Kosovës, pasi Kosova është shtet, që e kanë njohur shtete më të mëdha, më të forta të botës, SHBA-të, dhe të Bashkimit Evropian, shtetet më të rëndësishme, dhe në përgjithësi e kanë njohur mbi 100 shtete deri më sot Kosovën, dhe si mos ta njoh Serbia që është fqinj, që do jetojë aty, dhe aty do jetë gjithnjë fqinje me Kosovën.Dhe Edi Rama e tha si është realiteti, dhe të reagonin si duhej, si pritet si dëshirohet prej faktorit ndërkombëtar, prej BE-së ku do hyjmë ne Shqipëria por edhe Serbia. Sa më parë ta bëni këtë aq më mirë do jetë për Serbinë, edhe për Kosovën dhe për rajonin në përgjithësi"Megjithatë, ai shtoi se nuk duhet të jemi shumë optimistë për qendrimin e Serbisë ndaj njohjes së Kosovës, pasi do të duhet kohë e gjatë që kjo të ndodhë."Mendimi im është se shumë, shumë optimist për qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës nuk duhet të jemi, unë mendoj se gjatë Serbia nuk do ta njoh Kosovën, mjerisht nuk do ta njoh, por ne kjo nuk duhet të na dëshpërojë, Kosova do eci përpara," tha akademiku Rexhep Qosja.Për akademikun e shquar, Serbia vazhdon të jetë e ndarë në dy vija politike, pro dhe kundër Bashkimit Europian, duke luajtur këtë lojë edhe me aleatin e madh, Rusinë."Ka dy Serbi, Serbia e orientuar drejt Bashkimit Evropian dhe Serbia kundër BE-së, kryesisht e orientuar drejt Rusisë. Pra ka dy vija politike në Serbi, këta me një të kaluar shumë të rëndë janë, por janë të orientuar drejt BE, por megjithatë ata, e luajnë lojën edhe me Rusinë," tha më tej Qosja.Lidhur me entuziazmin e shqiptarëve të Preshevës të cilët e kanë quajtur Edi Ramën si kryeministrin e tyre, dhe kjo gjë nuk është pritur mirë nga Serbia, Qosja ishte i mendimit se ai është një reagim i drejtë nga ana e shqiptarëve.Ai i quajti thirrjet thjesht emocionale, pasi përherë shqiptarët e Kosovës, Preshevës, Maqedonisë apo Malit të Zi e kanë quajtur Shqipërinë: Nëna Shqipëri.