Nikoliç: Rama i papërgjegjshëm, prandaj refuzova takimin me të

Beograd- Serbia ka 2 vite e gjysëm që përpiqet ta bëjë Ballkanin rajonin më të sigurte dhe të begatë në Europë, por sa kohë ka politikanë të papërgjegjshëm si Edi Rama është e qartë se kjo do të jetë një rrugë e vështirë dhe plot sfida.Kjo ka qenë deklarata rrufe e lëshuar në orët e mbrëmjes, nga zyra për shtyp e Presidentit serb Tomisllav Nikoliç.Edhe pse kishte thënë se nuk do të përfshihej në axhendën e vizitës së Kryeministrit shqiptar për një impenjim të momentit të fundit, Nikoliç zbuloi se në fakt, ishte kjo arsyeja që ai nuk kishte pranuar ta takonte Ramën.Pak orë pas mesazhit kritikues në Twitter të kryeministrit Vuçiç, Nikoliçi ka ngritur një akuzë edhe më të rëndë, duke pretenduar se shqiptarët vështirë se do t'i bashkohen Europës moderne.Madje në daklaratën e tij, Nikoliç konfirmon urrjejtjen jo vetëm për Ramën, por gjithë shqiptarët."Serbia ka tashmë dy vjet e gjysmë që përpiqet të bëjë Ballkanin një rajon të sigurt dhe të begatë për t'u futur në Europë, por me politikanë të papërgjegjshëm si Edi Rama, është e qartë se do të jetë e vështirë", është shprehur Nikoliç."Është e vështirë që Shqipëria t'i bashkohet familjes së shteteve modern europiane për sa kohë që nuk do të heqë dorë nga ëndrra e saj për një Hidra, të quajtur Shqipëria e Madhe", akuzoi Presidenti serb.Pak orë më parë, kryeministri Vuçiç e kishte konsideruar si një rast të humbur takimin me homologun shqiptar. Edhe pse e tregoi hapur me gjeste dhe fjalë reagimin ndaj deklaratës për Kosovën, në llogarinë e tij në Twitter, kreu i qeverisë serbe është treguar më i drejpërdrejtë."Sot ishte një mundësi për ne të kthenim një faqe të re. Na vjen keq që provokimi i kryeministrit Rama solli humbjen e kësaj mundësie. Por ne do të preferonim që të vijojmë punën sëbashku për të ardhmen e rajonit tonë, përfundon komenti i Vuçiç në T witter.Ndërkohë, në orët e pasdites, pas konferencës së ndezur për shtyp me kryeministrin serb, Rama është takuar me ish-presidentin Boris Tadiç, sot kryetar i Partisë Socialdemokrate të Serbisë. Sipas raportimeve biseda mes të dyve ka qenë rreth marrëdhënieve të dy shteteve dhe situatën politike, ekonomike dhe të sigurisë në rajon.Ata kanë rënë dakord se është e domosdoshme që të tejkalohen tensionet e shkaktuara me incidentin në ndeshjen e futbollit midis Serbisë dhe Shqipërisë dhe kanë rënë dakord se Serbia dhe Shqipëria duhet të fillojnë në mënyrë të pavarur, pa ndihmën e Bashkimit Europian, t'i zgjidhin çështjet e hapura dypalëshe.