Vijon beteja për Kobanin, shpërthime të fuqishme në qytetin kufitar me Turqinë

Vazhdojnë sulmet e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Kobani. Pamjet filmike tregojnë shpërthimet e fuqishme në qytetin kufitar me Turqinë, për të cilin vazhdon prej javësh një betejë e ashpër mes kurdëve dhe forcave të Shtetit Islamik.Komanda Qëndrore amerikane bëri të ditur të hënën se koalicioni ka kryer 18 sulme në Irak dhe 23 sulme në Siri që nga fundjava, ku 13 prej tyre vetëm në Kobani, qyteti që po vë në provë të madhe forcën e SHBA-së dhe vendeve të tjera aleate.Gjatë ditës së hënë, një i dërguar i Kombeve të Bashkuar, Stefan De Mistura, është takuar në Damask me presidentin sirian, Bashar Al-Asad, për të diskutuar mbi atë që po ndodh në Siri, ku përveç luftës kundër Shtetit Islamik, vazhdon edhe lufta civile mes forcave qeveritare dhe rebelëve që duan ta rrëzojnë Asadin nga pushteti.Po të hënën, nëpërmjet pamjeve që vijnë nga rrjetet sociale, forcat rebele kanë pretenduar pushtimin e qytetit jugor-perëndimor, Nava, pas betejës së ashpër disa ditore me ushtrinë qeveritare.Ndërkohë, televizioni shtetëror irakian raportoi të hënën se udhëheqësi i Shtetit Islamik, Abu Bakër Al-Bagdadi është plagosur në një sulm ajror të kryer nga forcat irakene.Në fakt, prej disa ditësh qarkullojnë zëra se Al-Bagdadi është vrarë ose plagosur, por vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë të ditur se nuk kanë informacion mbi këtë fakt.