Në mungesë të Nikoliç, Rama takon Tadiç: Të zgjidhim çështjet e hapura

Beograd- Vizitën e munguar me kreun e shtetit serb Nikoliç, kryeministri Edi Rama e ka kompensuar mjaft mirë me një ish-President të këtij shteti.Gjatë qëndrimit të tij në Beograd, Rama zhvilloi një takim me kryetarin e Partisë Social Demokratike dhe ish-President i Serbisë, Boris Tadiç.Diskutimet politike mes Ramës dhe Tadiç u përqëndruan kryesisht në sigurinë dhe gjendjen ekonomike në rajon.Ata u dakordësuan se është e nevojshme që sa më shpejt të jetë e mundur të kapërcehen tensionet e shkaktuara nga incidenti në ndeshjen e futbollit mes të Serbisë dhe Shqipërisë.Siç raportojnë mediat serbe, Tadiç dhe Rama ranë dakord që Serbia dhe Shqipëria duhet të fillojnë të zgjidhin çështjet e hapura dypalëshe në mënyrë të pavarur dhe pa ndihmën e Bashkimit Evropian.Gjatë takimit, Kryetari i SDS dhe Rama kanë shkëmbyer pikëpamjet mbi situatën ekonomike në Serbi dhe Shqipëri, por edhe në rajon, si dhe nevojën për të ndryshuar politikën e investimeve, e cila do të nënkuptonte një nivel të lartë të koordinimit dhe bashkëpunimit midis Serbisë dhe Shqipërisë.