Musliu: Mesazhi i Ramës tregoi se Lugina do të jetë më afër Tiranës
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Jonuz Musliu, duke e komentuar vizitën e kryeministrit shqiptar Edi Rama, në Beograd, ka theksuar se shefi i qeverisë shqiptare e ka prezantuar dhe mbrojtur çështjen e shqiptarëve në mënyrën më të mirë të mundshme.“Shpresoj se deklaratat e shefit të qeverisë shqiptare, nuk do të mbesin vetëm fjalë dhe premtime. Mesazhi i sotëm i kryeministrit shqiptar tregon se shqiptarët e Luginës së Preshevës, do të jenë më afër Tiranës, po ashtu edhe Prishtinës. Mirëpo, besoj fuqishëm se edhe këto dy qendra shqiptare do të jenë më afër banorëve në Luginës”, ka thënë Musliu.Ai më tutje ka shtuar se sjelljet e sotme të lidershipit serb, treguan se kemi të bëjmë me një spektakël, ku serbët treguan se ende vuajnë nga nacionalizmi, gjuha e urrejtje dhe se nuk kanë shumë vullnet për ta zgjidhur problemin e shqiptarëve, veçanërisht në Luginën e Preshevës, raporton Telegraf.“Unë mendoj se nga Beogradi zyrtar, edhe pas këtyre deklaratave, nuk pritet diçka qe mund t’i plotësojë kërkesat dhe nevojat e shqiptarëve të Luginës”, ka shtuar Musliu.