Buxheti për sigurinë, Luan Rama kundër qeverisë, debaton me Kodheli
Komisioni parlamentar i Sigurisë Kombëtare ka miratuar në parim projekbuxhetin për tre institucionet më të rëndësishme të sigurisë në vend, përkatësisht për Ministrinë e Mbrojtjes, atë të Brendshme dhe Shërbimin Informativ.Sipas këtij buxheti, mbrojtja do të marrë 12.6 miliard lekë ose 0.84 % të GDP, duke qëndruar larg nivelit të kërkuar nga NATO me 2%. Debate ka patur mes deputetit të LSI-së, Luan Rama dhe Ministres Mimi Kodheli.“Në projektbuxhetin e vitit 2015 parashikohet një ulje në total i buxhetit në gati 2 miliardë lekë krahasuar me 2014. Përse kjo ulje e parashikuar dhe ju si Ministre jeni e kënaqur me shifrën e planifikuar në projektbuxhet?” pyeti Rama.“Përdorimi efiçent i fondeve është një gjë për të cilën ne duhet pafundësisht të flasim. Tani që ju më pyesni më vjen ndër mend një pagesë e vjetër e një vinçi që duhej përdorur për nevojat e ushtrisë, i cili ishte paguar 700 mijë euro dhe ky vinç ju siguroj se nuk ka ngritur asnjë fletë letre deri më sot”tha Kodheli.Ndryshe nga sa pritej, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, është pritur mjaft mirë nga deputetët e sigurisë. Në diskutime te tjera, po këta ligjvënës kanë patur rezerva për punën e Tahirit, ndërsa në këtë seancë kishin vetëm falenderime.
“Qeveria ka paraqitur pranë Kuvendit, rritjen e numrit të punonjësve të Policisë së Shtetit me 1087 punonjës.Kjo sigurisht do të shtojë përmasën e shërbimit të punonjësit të Policisë së Shtetit në tërësi për qytetarët, na lejon ne t’u përgjigjemi qytetarëve më mirë dhe më shpejt dhe ndërkohë lejon Policinë e Shtetit të përballojë sfidat të cilat nuk janë të vogla sa i takon luftës kundër veprave penale në tërësi dhe kriminalitetit të organizuar në veçanti.Buxheti i ri hedh një hap deciziv për investimet në infrastrukturë dhe teknologji në Policinë e Shtetit”deklaroi Tahiri.“Dua të përshëndes Ministrin e Brendshëm dhe gjithë stafin e tij për të gjithë angazhimin që kanë marrë në luftën kundër kriminalitetit dhe rezultatet e dukshme që ato kanë arritur” tha Ndreu.Ndërsa diskutimet për buxhetin e SHISH u bënë pa praninë e medias. Shërbimi Informativ përfaqësohej nga numri dy Ylli Allushi, pasi Visho Ajazi Lika nuk ndodhet në Shqipëri.Në fund, Komisioni ka kaluar në parim projektbuxhetin për vitin 2015 të tre institucioneve,ku ai i Ministrisë së Brendshme ka një rritje prej 14.7 % dhe kap një vlerë 19.5 miliard lekë.