Tahiri: S'amnistohet vrasësi se është i varfër, pse të falet vjedhësi i energjisë?
Tiranë – Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka deklaruar sot në Kuvend se po vendoset shteti ligjor dhe jo ai policor, pasi nuk ka shoqëri në botë që amniston një vrasës apo vjedhës se është i varfër. "Përse në këtë rast, një vjedhës të energjisë elektrike, duhet ta amnistojmë?! - tha ai.Duke iu referuar operacionit kundër lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike, Tahiri tha se "në dy ditë, Policia e Shtetit dhe OSSHE ka arrestuar 115 shtetas dhe mbi 5 punonjës të OSSHE, ndërkohë që janë shpallur në kërkim dhjetra. Të jeni të ndërgjegjshëm se këto shifra janë shumë më pak se paligjshmëria në terren. Këto shifra kanë mjaftuar për t’u treguar të paprekshme se mund të vjedhin energjinë dhe të bëjnë sehir me shtetin dhe ligjin.Mund t’ju duket e sforcuar lidhja e këtij operacioni me indeksin e kriminalitetit në shoqëri. Në Shqipëri, indeksi i kriminalitetit është shumë i lartë, i paligjshmërisë, edhe ajo që nuk duhet/ sipas meje, ka një lidhje të drejtpdrejtë lufta kundrejt paligjshmërisë së pandëshkuar dhe perceptimit kriminal të shoqërisë. Ky veprim sjell domosdoshmërisht ndryshimit e perceptimit kolektiv të veprimit të shtetit dhe mbi detyrimet qytetare për të respektuar bashkarisht ligjin.Shqipëria informale duhet të marrë fund dhe s’ka plagë më të thellë se pabarazia para ligjit. Kjo praktikë duhet të marrë fund njëhërë e mirë. Nuk ka pse të aministohen ata që deri dje e kanë vjedhur energjinë dh ata që kursejnë për të paguar energjinë. Nuk ka të paligjshëm të legalizueshëm dhe të paligjshëm të dhunshëm.Kam dëgjuar që qoftë edhe për hir të të bërit opozitë na akuzojnë për shtet policor. Cili është shteti policor? Nuk ka vendim prokurorie që nuk kemi zbatuar, nuk ka vendim gjykate që nuk kemi zbatuar, nuk ka vepër penale që e ka shpikur kjo qeveri, pasi ka marrë drejtimin e punëve të vendit. Ky do të ishte shteti policor, siç shumë prej nesh mbajnë mend atëhere kur Prokuroria urdhëronte arrestimin e gardistëve dhe shteti policor i asaj kohe nuk zbatonte urdhrin e prokurorisë.Ajo që ka ndodhur nuk është shtet policor. Është shteti ligjor, ky që duhet të jetë, ky që ka munguar. Nuk ka asnjë justifikim me varfërinë. E kam dëgjuar shpesh. Nuk është element që ndikon në indeksin e kriminalitetit. Unë nuk di të ketë një shoqëri të vetme në këtë botë që amniston një vrasës se është i varfër, që amniston një vjedhës të dhunshëm se është i varfër. Dhe përse në këtë rast, për një vjedhës të energjisë elektrike, përsa abstrakte mund të na duket ne si mall, duhet ta amnistojmë?! Jo, nuk ka vjedhës të legalizueshëm në këtë vend dhe nuk duhet të ketë vjedhës të legalizueshëm, qofshin këta të dhunshëm ose jo."ar.sh/Oranews.tv