Thirrje për protesta, Basha me sipërmarrëset: Kështu përballim të keqen

Tiranë -Opozita po i afrohet gjithmonë e më shumë vendimit për të rinisur protestat popullore. Në tryezën me gratë sipërmarrëse kryetari i PD Lulzim Basha paralajmëroi qeverinë se në kushtet kur gjërat po shkojnë keq e më keq protesta është mjeti i vetëm për përballje.“Me çfarë shoqërie duam të ndërtojmë, me një shoqëri të drejtë, të bazuar në sundimin e ligjit, në shtetin ligjor, ku qeveria qendërore dhe lokale është një partner i biznesit apo një shtet policor ku zgjidhja është dajaku dhe gjoba. Kush është me këtë të fundit na ka përballë dhe do na ketë përballë me të gjitha rrugët duke përfshirë edhe protestat popullore për të cilën ju bëj ftesë edhe ju”, tha Basha.Shteti ligjor sipas Bashës është zëvendësuar me shtetin policor. Sipas tij nga rritja e çmimit të energjisë preken mbi 2 milionë shqiptarë.“Këto janë protesta për bukën e gojës, këto janë protesta për të drejta të mohuara arbitrarisht. Nuk mbledhin paratë për energjinë, cila është zgjidhja? Rrisin çmimin e energjisë, heqin fashën mbrojtëse. Po 2 milion e 100 mijë shqiptarë që preken nga kjo, me çmime që mund të shkojnë deri në 70% më të larta, se ato që paguajnë sot, problem i kujt janë?” u shpreh kreu demokrat.Paralajmërimi i parë për rifillimin e protestave u bë fill pas refuzimit që opozita bëri për tu rikthyer në kuvend edhe pse shumica miratoi ngritjen e komisioneve hetimore të kërkuara prej saj. PD është duke kërkuar si garant faktorin ndërkombëtar, për të arritur një marrëveshje me maxhorancën në pushtet.