ISIS shfaq dhe dokumentar: Kobanin e kemi nën kontroll!
I veshur me të zeza, duke ecur mbi gërmadhat e Kobanit, një person që vetëidentifikohet si pengu britanik i Shtetit Islamik, Xhon Kantli, flet para kameras sikur po bën një reportazh, si korrespondent i një agjencie lajmesh. Një PR (public relation) i vërtetë nga organizata terroriste, edhe pse ende nuk është bërë e qartë se kur është filmuar video pesëminutëshe.Si të ishte një dokumentar i mirfilltë, video fillon me pamje ajrore të fushëbetejës së qytetit në kufirin turko-sirian, filmuar nga një dron, ndërsa shoqërohet me titra në arabisht dhe anglisht, ku thuhet se pamjet janë "brenda qytetit Ain Al-Islam", duke ndryshuar emrin arab të Kobanit, që është Ain Al-Arab. E ndërsa flamuri i zi i Shtetit Islamik valvitet në cep të ekranit, Kantli identifikohet dhe nis rrëfimin e tij."Përshëndetje, jam Xhon Kantli dhe sot jemi në qytetin Kobani, në kufirin turko-sirian. Në fakt, Turqinë mund ta shihni pas shpinës sime. Jemi në zemër të së ashtuquajturës zonë e sigurtë e kurdëve, e cila tashmë kontrollohet plotësisht nga Shteti Islamik. Nuk shoh ndonjë nga gazetarët perëndimorë këtu, të cilët kanë thënë ditët e fundit se Shteti Islamik është duke u tërhequr".Të mërkurën e kaluar, babai i gazetarit, Pol Kantli, u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë. Në fillim të muajit, duke folur nga spitali, 81-vjeçari i bëri thirrje militantëve të ISIS që ta lironin të birin, pasi i frikësohej se ai mund të pësonte fatin e dy gazetarëve amerikanë dhe vullnetarit britanik, të cilëve iu janë prerë kokat. Fotoreporteri Kantli mendohet të jetë marrë peng në Siri që prej nëntorit të vitit 2012, por vetëm muajt e fundit ai është shfaqur në video, si një zëdhënës i militantëve."Babushi Xhon Kerri nuk e beson që muxhaidinët po tërhiqen, përndryshe nuk do ta kishte quajtur Kobanin si shembullin e tmerrshëm të asaj që ndodh kur njerëzit nuk ndihmojnë ata që po luftojnë ndaj Shtetit Islamik. Kjo ishte një kritikë për presidentin turk, Erdoan, i cili i urren kurdët. Por nga këtu ku jam unë, arrij të shoh pjesën më të madhe të qytetit, madje shosh edhe flamurin turk pas meje. Në Kobanin shosh vetëm muxhaidinë, nuk shoh asnjë prej grupeve kurde".Kantli konfirmon edhe frikën e SHBA-së dhe Turqisë, se disa prej armatimeve dhe pajisjeve mjeksore të hedhura nga ajri për të ndihmuar kurdët, kishin rënë në duart e ISIS."Kobani po përforcohet tani me kurdë irakianë që po futen nga Turqia, ndërsa muxhaidinët po furnizohen nga forcat e pashpresa amerikane, që na hodhën nga ajri armatime dhe municione".Oranews.tv