Franca ndërmjetëson takimin mes Armenisë dhe Azerbajxhanit
Armania dhe Azerbajxhani kanë rënë dakord që të rifillojnë bisedimet për të zgjidhur çështjen e krahinës Nagorno-Karabak, e cila pretendohet prej të dy shteteve.Me ndërmjetësimin e presidentit francez, Fransua Holand, udhëheqësit e të dy vendeve u takuan të hënën në Paris dhe ranë dakord që të shkëmbejnë informacione në lidhje me njerëzit që janë raportuar të zhdukur që kur kanë rinisur luftimet mes dy vendeve.Tensionet u përshkallëzuan në fillim të gushtit dhe nga shkëmbimet e zjarrit mbetën të vrarë të paktën 15 ushtarë nga të dy palët, ndërkohë që konflikti ka nisur që në vitin 1991, me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik.Nagorno-Karabak është një enklavë në Azerbajxhan, me shumicën e popullsisë armene, por më e rëndësishmja është se zona shërben si pikë kalimi nga ku gazi dhe nafta e nxjerrë nga deti Kaspik mbërrin në Europë. Edhe pse në vitin 1994 dy shtetet arritën marrëveshje armëpushimi, që atëherë kanë shkëmbyer akuza dhe kundërakuza, dhe kufiri mes tyre ka qenë gjithmonë i nxehtë.Mes kompanive të mëdha të karburanteve që veprojnë në Azerbajxhan janë gjigantët British Petroleum, Chevron dhe Exxon Mobil, dhe drejtuesit vendas kanë qenë të gatshëm të ndërhynin sërish ushtarakisht për të mos humbur marrëveshjet fitimprurëse. Megjithatë, sipas deklaratës për shtyp të zyrës së Holandesë, të dy presidentët kanë rënë tani dakord që të takohen sërish në shtator të vitit 2015 në Nju Jork, gjatë punimeve të Asamblesë së OKB-së. Në gusht, edhe Rusia ka ndërhyrë si ndërmjetëse mes dy vendeve dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik.