Katari e mohon: ISIS nuk merr para nga ne!

Zyrtarë të lartë të Katarit kanë mohuar fuqimisht pretendimet se vendi i tyre mbështet organizata terroriste, në veçanti Shtetin Islamik.Ata konfirmuan për BBC se kanë mbështetur grupe të moderuar rebelësh ndaj regjimit të Bashar Al-Asadit, por kjo ka ndodhur në bashkëpunim me CIA-n dhe Shërbimet Informative të vendeve arabe.Sipas tyre, në vend janë vendosur kontrolle strikte financiare për të mos lejuar vërshimin e fondeve në duart e gabuara. Në të shkuarën, Katari dhe donatorë të tjerë mendohet të kenë sponsorizuar grupime ekstremiste në Siri, përfshi këtu edhe organziatën simotër të Al-Kaedës, Al-Nusra.Në fillim të muajit disa parlamentarë britanikë kanë kritikuar lidhjet e afërta të vendit të tyre me Katarin, që është një investitor kryesor në Britani. Mohimi i autoriteteve të emiratit vjen pak ditë para vizitës së Sheikut sundimtar Tamim bin Hamad Al-Tani në Mbretërinë e Bashkuar.Zyrtarët, përfshi këtu edhe drejtorin e shërbimit informativ në vend, thanë për BBC se Katari nuk kishte asgjë për të fshehur në lidhje me mbështetjen e grupimeve që luftojnë në Siri ndaj Al-Asadit, por kishte konstatuar që grupime të cilat shiheshin si të moderuara më parë, i ishin bashkuar vijës ekstremiste.Që prej shtatorit të këtij viti, Katari është rreshtuar në krahun e vendeve që po mbështesin sulmet e koalicionit të udhëhequr prej SHBA-së në bombardimet ndaj Shtetit Islamik, duke i ofruar amerikanëve edhe një bazë ajrore nga ku niset avionët.