Gjirokastër, banesa karakteristike e braktisur, banorët: Shembja na rrezikon jetën

Gjirokastër-E braktisur prej 10 vitesh banesa e Halimatëve në lagjen “11 Janari” në Gjirokastër është kthyer në rrezik serioz për jetën e banorëve përreth saj. Prej disa vitesh çatia dhe një pjesë e mureve të kësaj shtëpie janë rrëzuar duke prishur edhe çatinë e banesës që ndodhet poshtë saj, ndërkohë që pjesët e mbetura mund të bien në çdo moment.Ndërsa degradimi i vazhdueshëm i gërmadhave të kësaj shtëpie vazhdon pa ndërprerje, banorët i tremben përsëritjes së situatës. Ata apelojnë për ndihmë dhe shprehen se deri tani asnjë prej institucioneve përgjegjëse nuk është interesuar, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të tyre si në bashkinë e qytetit, ashtu edhe në Drejtorinë e Monumenteve.Banesa e Halimatëve ndodhet vetëm pak metra larg banesës së Hadërajve, një pjese e së cilës u shemb në mënyrë të kontrolluar vitin e kaluar, pikërisht për të shmangur aksidentet e mundshme nga rrëzimi i mureve të mbetura. Një pjesë jo e vogël e banesave karakteristike gjirokastrite ndodhen sot në të njëjtën situatë si pasojë e braktisjes nga pronarët, ndërsa banorët jetojnë përditë në rrezikun e shembjes së tyre.